“Jeta është ëndërr”, shfaqja nga Bullgaria përmbylli edicionin e dytë të PRIZREN-FEST

29 Korrik, 2023 - 11:59 am

Me një sukses të jashtëzakonshëm e me prezencën e shumë artistëve dhe artdashësve, si dhe përfaqësues institucional  u përmbyll edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur- PRIZREN FEST, i vetmi i këtij formati në vendin tonë, është njoftuar nëpërmjet një komunikate nga organizatorët e këtij festivali, shkruan KultPlus.

Në natën e shtatë të PRIZREN FEST-it, u dha shfaqja nga Bullgaria “Jeta është ëndërr” nga Pedro Calderon de la Barca, prodhim ky i Zong Theatre. 

Jeta është ëndërr është një përrallë e errët që i ballafaqon lojërat e shkujdesura të fëmijëve me lojërat dhe manipulimet politike. Në një realitet radioaktiv të mutuar, një krijesë lind dhe braktiset vetë: por çfarë është ajo – një i burgosur, një princ? Çfarë e bën njeriun një përbindësh, si ndodhë që pēsojë mutacion njerēzorja tek njeriu? Nëse pjekuria në një botë monstrash manifestohet duke u bërë përbindësh, çfarë të ardhme kultivojmë atëherë për veten tonë? Cila është bota që po ëndërrojmë, cila është ëndrra që po jetojmë? Çdo skenë është ndërtuar me shumë imagjinatë dhe ka shumë referenca të kryqëzuara me pop kulturën, stripet dhe Evropën bashkëkohore, sepse ne donim të bënim një histori universale nga drama e Calderonit.

Ndërkohë, organizatorët kanë spikatë edhe vecantitë e këtij edicioni, të cilët kanë thënë:

Edhe pse ishte vetëm edicioni i dytë, PRIZREN FEST këtë vit ka ofruar një program shumë të pasur e të gjerë që e ka dëshmuar edhe fakti se në çdo  mbrëmje, çdo hapësirë ku u dhanë shfaqjet ishte përplot me shikues. Pjesë e programit plotësues të PRIZREN FEST-it ishin punëtorët ku të rinjtë, pas gjithë javës së workshopit u paraqitën para audiencës me një program përmbyllës nga ajo se çfarë kishin mësuar nga trajnerët e puntorive të cilët ishin artistë me eksperiencë ndërkombëtare.

Rëndësi të veçant kishin edhe dy konferencat që trajtuan tema të rëndësishme që e preokupojnë komunitetin artistik si në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni. Këtë vit pjesëmarrëse në PRIZREN FEST ishin vendet si : Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Çekia, Bullgaria, Ukraina, Italia, Sllovakia, Greqia e Maqedonia e Veriut.

Komuna e Prizrenit edhe këtë vit fuqishëm ka mbështetur PRIZREN FEST-in. Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, në fjalimin e tij gjatë ceremonisë së mbylljes e potencoj edhe njëherë se mbështetja për një festival me përmasa ndërkombëtare siç është PRIZREN FEST nuk do të mungoj asnjëherë. Në këtë edicion nuk ka munguar edhe mbështetja e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit si dhe sponzor gjeneral i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur- PRIZREN FEST është Banka Ekonomike e Kosovës./ KultPlus.com

Të ngjajshme