Kampanjë për të ndihmuar artistët për probleme shëndetësore, por jo edhe për politikanët

26 Shkurt, 2018 - 8:40 pm

Gjendja jo e mirë shëndetësore e regjisorit Bekim Lumi dhe vështirësitë për të përballuar koston për shërimin e tij, ka bërë që miqtë e tij të shumtë, nëpërmjet rrjeteve sociale, të kërkojnë ndihmë financiare, në mënyrë që regjisori Lumi të kurohet, shkruan KultPlus.

Dhe jo një kampanjë të tillë kemi rastin të shohim kur sëmuren politikanët e vendit, pasi që ata vazhdojnë të kurohen nëpër spitalet më prestigjioze të shteteve të huaja, kurse kampanja të tilla organizohen për artistët, qytetarët…, të cilët, në mungesë të sigurimit shëndetësorë, edhe më tej kërkojnë ndihmë nga populli.

Artistët kanë thënë për KultPlus se një neglizhim nga shteti, sa i përket kurimit të tyre e kanë përjetuar edhe aktorët: Istref Begolli, Faruk Begolli, Hadi Shehu e shumë të tjerë. Dhe padyshim, ky tretman i Qeverisë së Kosovës, me standarde të dyfishta për qytetarët e saj, reflekton rrebelim te vetë qytetarët, por edhe te artistët.

Për të ndihmuar Bekim Lumin, tashmë me kontributin e tyre kanë dalë edhe vetë artistët, ku artisti Liridon Gashi ka nxjerrë në shitje pikturat e tij, ku mjetet do të shkojnë për Bekim Lumin, sikurse një ngjarje tjetër bamirësie e kanë organizuar Alketa & Maylinda, të cilat poashtu e kanë dedikuar për Bekim Lumin. Edhe teatro të ndryshme tashmë kanë njoftuar se disa shfaqje do të jepen me dedikim për Lumin, ku shitja e biletave do të shkojë poashtu për këtë kurim.

Për regjisorin Lumi, KultPlus ka kuptuar se Ministria e Shëndetësisë kishte ndarë një shumë të caktuar për kurimin e tij, por jo i mjaftueshëm për shërimin e tij, përderisa, për politikanët është një qasje tjetër.

Shkumbin Istrefi, aktor e producent ka thënë për KultPlus se në këtë rast, pa dashur të privilegjoj artistët, sipas tij, në sferën e shëndetësisë, shteti duhet të kujdeset më shumë për qytetarët e vet dhe t’ju ndihmojë përmes mekanizmave që në botë ekzistojnë.

“Sigurimi shëndetësor ende nuk funksionon (sigurimi i cili duhet të ndalet nga pagat). Ky sigurim duhet të mbulojë edhe trajtimin e sëmundjeve të renda, ku kostot janë të papërballueshme për individin dhe familjen. Duhet gjithsesi të rritet buxheti për shëndetësi, të stimulohet kërkimi, specializimi dhe pagat e mjekve. Është prioritet që të krijohen kushte që njeriut t’i ofrohet trajtim mjekësor kualitativ si në vende tjera”, ka thënë Istrefi.

Sipas tij, duhet të rritet niveli i përgjegjësisë së shpenzimit të mjeteve pa kontroll nga pushtetarët, fillimisht duke bërë planifikimet buxhetore të bazuara në nevojat e qytetarëve e pastaj në si p.sh. “shëtitje të grupeve të zyrtarëve” nëpër Evropë e Botë.
“ Sipas meje, më shumë ka rëndësi një jetë e njeriut se sa një foto e një zyrtari duke u ngërdheshur në Evropë. Më shumë ka rëndësi një jetë e njeriut se një autostradë që përpin qindra miliona euro”, ka thënë Istrefi.

Kurse regjisorja Zana Hoxha Krasniqi ka vlerësuar se një nga dëshmitë më të mëdha të dështimit të përkujdesit të shtetit për artistët kosovarë është mungesa e përkrahjes financiare për trajtimet e nevojshme mjekësore. “Duke e pasur parasysh që artistët kosovarë, nuk kanë sigurim shëndetësor e në shumicën e rasteve as të ardhura të rregullta. Për dallim të trajtimit preferencial në klinika jashtë shtetit të politikanëve (ku edhe ju mbulohen shpenzimet) të cilët edhe nga dëshmitë e deklarimit të pasurisë kanë grumbulluar pasuri të mjaftueshme. Rastet e tilla të dështimit të shtetit kanë qenë edhe më heret me Istref Begollin, Faruk Begollin, Hadi Shehun dhe vazhdojnë të ndodhin edhe me artistin Bekim Lumi. Fatkeqësisht në Kosovë ende nuk flitet për mbrojtjen dhe përkrahjen e vërtetë të artistëve të cilët janë edhe ambasadorët më të mirë të vendit tonë”, ka thënë Hoxha Krasniqi.

Ndërkohë, thirrja që është bërë për të ndihmuar Bekim Lumin ka këto të dhëna si më poshtë, dhe të gjithë ata që duan të ndihmojnë regjisorin, mund ti transferojnë mjetet e tyre në këto xhirollogari.

Bartësi i kontos: BEKIM LUMI
Adresa: Rr. “Theodor Muzaka”, H. 1, Nr. 10, Prishtinë, 10000, RKS, Kosovë
Numri i kontos: 1110251567000198
Banka: ProCredit Bank Kosovo J.S.C.
Adresa e Bankës: Rr. George Bush, Nr. 16, Prishtinë, Kosovë
Ndërkaq, për banorët jashtë Kosovës, përveç të dhënave të mësipërme, duhet të jenë edhe këto shënime shtesë:
Account No (IBAN): XK051110251567000198
SWIFT (BIC) CODE: MBKOXKPRXXX
Bank Identification Code: PRCBDEFFXXX
Correspondent / Intermediary Bank: PROCREDIT Bank AG, Frankfurt am Main, Germany./KultPlus.com

Të ngjajshme