“Katër i Radës” erdhi si përkujtim tragjedie dhe përpjekje muzikore për të çliruar universin njerëzor (FOTO)

9 Shtator, 2018 - 1:30 pm

Gili Hoxhaj

Tragjedia tronditëse në ujërat e Adriatikut, e ndodhur para më shumë se dy dekadash, erdhi mbrëmë si një kambanë dhimbjeje e përkujtimi në Teatrin “Oda”. Kjo operë pranë publikut të Prishtinës, solli një imazh që as sot botës nuk i është shqitur nga sytë. Familje që lundrojnë për një “strehë” të sigurt, e përfundojnë duke mos u gjetur kurrë, ose duke mos dalë nga atje të gjallë. Një anije e stërmbushur me shqiptarë, në mars të vitit 1997, fundoset në brigjet italiane, ku u godit nga një anije italiane, duke lënë klithmat e përpjekjeve për të shpëtuar.

Si homazh i viktimave të Otrantos, në një kontekst të ngjashëm në brigjet italiane, mbrëmë në Prishtinë erdhi opera “Katër i Radës. Il naufragio” (Fundosja e anijes). Një vepër e porositur nga Bienalja e Venecias, realizuar nga Qendra e Prodhimit Teatror Koreja, Itali, me muzikë të Admir Shkurtajt, me libret nga Alessandro Leogrande, autor i romanit-reportazh me të njëjtin titull, e me regji të Salvatore Tramcere.

Pas udhëtimit nëpër shumë vende evropiane, mbrëmë erdhi për të parën herë në kryeqytetin e Kosovës.

Salla në Teatrin “Oda” ishte mbushur në të dy anët. Posa publiku zë vend në ulëse, dritat zbehen ngadalë. Në njërën anë është e ulur orkestra që ecën nën drejtimin e Admir Shkurtaj, që sjellë një eksperiencë të re për publikun, kur bashkohet me zërat e sopranove e aktorëve. Derisa salla nis të errësohet, ndriçimi bie vetëm mbi partiturat e instrumentistëve, kur duart e dirigjentit ngritën për të parën herë, dritat fillojnë të zbresin. Zhurma që nis e vjen nga ana tjetër përballë orkestrës, bën që publiku ta kthejë shpejtë shikimin atje, në kërkim të zërave e hapave që vijnë. Dritat e zbehta u zbulojnë vetëm pak fytyrën e personazheve. Muzika vjen e përcillet me zërat e tyre, duke plotësuar njëra-tjetrën, e duke u takuar me dramaticitetin që ngjarja shtjellon në vete. Në mesin e atyre që qëndrojnë mbi anijen që po fundoset, dominojnë gratë, me duart e mbushura plot, disa prej të cilave kokën e kanë të mbështjellur me shami. Foshnjat që i shtrëngojnë pas vetes, ndonjëherë u rrëshqasin nga duart, rrobat të cilat i mbajnë mbi supe i kanë të mbështjellura me peshqir e çarçafë.

Ata janë gjithnjë e më pranë rrezikut që u kanoset, ecin në orientimin të papërcaktuar, të zhytur në frikë, ankth dhe errësirë ata shkelin në çdo skutë të anijes dhe jashtë saj, herë si në përhumbje fillojnë të qeshin e këndojnë. Mes kësaj loje atyre u bashkohen kori polifonik tradicional shqiptar, duke sjellë një gërshetim të veçantë të muzikës bashkëkohore me atë tradicionale, duke e bërë tragjedinë edhe më të pranishme, e duke e veshur skenën me zymtësinë e saj.

Kur anija fillon të zbrazet, nënat vendosin fëmijët në anije, e i shtrëngojnë lehtë për herë të fundit, derisa i përcjellin zërat e korit polifonik tradicional shqiptar me këngën “Dallgë deti”. Kur kori largohen nga rrethi i krijuar, në duar mbajnë nga një lule, të cilat i vendosin pranë trupave të foshnjave, të cilët janë të vetmit që i mbanë anija që për një natë, duke u lëkundur ecin me klithma në kërkim të shpëtimit, të përzierë më zëra grash, burrash e të fëmijëve.

Afër perdes së bardhë, ku gjendeshin ata që përcaktonin minutat e fundit të anijes së mbushur me familjet shqiptare, fillojnë e ngrihen rroba me po këtë ngjyrë, përveç një xhakete ngjyrë të kuqe që fillon e pikon ujin në dysheme derisa ngrihet lart, dhe e merr gjithë dritën e sallës. Pas kësaj, të pranishmit do të ngrihen në këmbë, për duartrokitje të gjata, duke i bërë artistët të kthehen nga të dy anët për t’u përkulur nën falënderim.

Dirigjenti i orkestrës Admir Shkurtaj tha se ndihet shumë i gëzuar që mbrëmë erdhi në Kosovë, për t’u prezantuar me një nga punët e tij më të rëndësishme. Ai tha se tragjedia nuk mund të risjellët por ndërtimi muzikor mund t’i shpërfaq emocionet e forta të saj.

“E veçanta e kësaj opere është se mbledhim gjithnjë reagimet e njëjta të publikut dhe gjithmonë me emocione të njëjta. Kjo do të thotë se kur gjuha takon ato telat e brendshëm, atje ndihemi të gjithë të barabartë dhe kjo është dëshmi e kësaj pune. Historia e përhershme është shumë e thjeshtë, ndërtimi muzikor dhe skenik i historisë është diçka më e komplikuar, tragjedia është tragjedi dhe s’mund ta barazosh dhe ta risjellësh atë. Pra është një histori e vërtetë dhe një histori muzikore që krijohet paralelisht asaj të vërtetës”, u shpreh Shkurtaj për KultPlus.

Regjisori Salvatore Tramcare tha se prezantimi i kësaj shfaqje në Prishtinë është shumë i rëndësishëm për të, pasi që vijnë nga një vend i afërt siç është Apulia dhe i kanë ndjekur histori të ngjashme. Për KultPlus, ai u shpreh se përmes artit duhet shpërfaqur kujtesën tonë si thirrje për humanizëm.

“E rëndësishmja është t’i kujtojmë këto histori sepse ato mund të kthehen. Mendoj që arti duhet të reflektojë këtë kujtesë, qoftë përmes muzikës, poezisë, këngëve. Duhet të jemi human, pavarësisht politikës”, shprehet Tracmare për KultPlus.

Pas suksesit dhe çmimeve që ka fituar gjatë dy viteve, që nga dita e premierës, me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës, opera u shfaq premierë për Shqipërinë, në skenën e Teatrit “Migjeni”, në Shkodër. Pas premierës së mbrëmshme në Prishtinë, më pas do të udhëtojë për në Tiranë, në skenën e re të Amfiteatrit në kodrat e Liqenit./ KultPlus.com

Të ngjajshme