“Kërkoj vrasës për nënën”, një dramë që e trondit dhe e nderon shpirtin

27 Maj, 2025 - 9:04 pm

Fotografitë: Rozafa Shpuza

Në një mbrëmje që do të mbetet gjatë në memorien kulturore të Shkodrës, Teatri “Migjeni” u kthye në një qendër graviteti për artin dramatik shqiptar, me premierën e shfaqjes “Kërkoj vrasës për nënën” – vepër e autorit amerikan Tracy Letts, e ribërë mjeshtërisht për skenën shqiptare nga regjisori Naser Shatrolli.

Shatrolli sjell një regji të guximshme, poetike dhe të thellë, që nuk i shmanget errësirës së tekstit, por përpiqet ta ndriçojë nga brenda, duke vendosur nënën dhe jetën si forca shpëtuese. Ai nuk kopjon, por krijon: i jep një fund tjetër veprës, më njerëzor, më të hapur, më shpresëplotë.

“Shatrolli nuk e mohon protestën e autorit origjinal, por e thellon atë në një refuzim estetik të shkatërrimit”, – shkruan kuratori dhe kritiku Skënder Boshtrakaj.

Kasti i aktorëve – Jozef Shiroka, Ermal Sadiku, Ina Morinaj, Lusi Bregu dhe Jurgen Marku – sollën në skenë një performancë të fuqishme dhe të përmbajtur, duke mishëruar karaktere të thyera por të mbushur me tension të brendshëm. Loja e tyre ishte një poezi e dhimbshme, që përfundon me një himn për jetën dhe nënën.

Skenografia ishte një element i gjallë i rrëfimit: jo thjesht sfond, por bashkëaktor që ndihmoi në ndërtimin e atmosferës simbolike dhe të tensionit dramatik. Çdo detaj vizual i hapësirës skenike fliste, provokonte, sillte peshë emocionale.

Kritiku Skënder Boshtrakaj e përkufizoi këtë shfaqje si “një testament artistik që trondit, provokon, por edhe shëron”, ndërsa regjinë e Shatrollit e cilësoi si një akt të guximshëm estetik, që vendos thellësinë përpara spektaklit.

Publiku shkodran reagoi me emocion, ndërsa prania e personaliteteve kulturore nga gjithë vendi i dha këtij eventi peshën e një akti të mirëfilltë bashkëpunimi kulturor kombëtar.

“Kërkoj vrasës për nënën” nuk eshte thjesht një shfaqje – është një ngjarje artistike, një shqetësim estetik dhe një lutje për nënën, në një botë që kërkon shpresë.
Një mesazh i fuqishëm në kohëra të krisura: jeta mund të mbrohet ende me artin!/KultPlus.com

Të ngjajshme