Komedia “Jo simfonia e 5-të po e 9-ta” e regjisores Sevdije Ajeti, së shpejti me premierë

20 Gusht, 2020 - 2:16 pm

Suada Qorraj

Trekëndësh dashurie i filluar në brigjet e detit të një dite të ngrohtë vere. Eva, dashnori i saj Bruno dhe bashkëshorti Mario, personazhe integruese, të ngjashëm, por edhe kundërthënës, përkojnë historinë e komedisë “Jo simfonia e 5-të po e 9-ta”, të autorit italian Aldo Nicolaj e që vjen e inskenuar me regji të Sevdije Ajetit, shkruan KultPlus.

Trekëndëshi i dashurisë mes Evës, Brunos dhe Marios shoqërohet me të papritura, aksidente që bëhen po në emër të dashurisë, me personazhe të pushtetshme, por edhe të pafuqishme. Si në çdo trekëndësh tjetër edhe në këtë komedi dikush është i tepërt. Kjo është vetëm një pjesë e rrugës që përbën shfaqjen “Jo simfonia e 5-të po e 9-ta” e cila do të zërë vend në tetarin e qytetit të Podujevës “Avdush Hasani”, e në të cilën luajnë aktorët Valina Muçolli, Muhamet Zeka dhe Besart Zeneli.

Regjisorja e kësaj shfaqjeje, Sevdije Ajeti në një intervistë për KultPlus ka shpalosur detajet, aktorët por edhe procesin e punës që po mundëson realizimin e shfaqjes.

Ajo ka treguar se provat për shfaqje ishin planifikuar që të fillojnë shumë më herët, por shkaku i pandemisë u ndërpre gjithçka, prandaj ekipa është vetëm në fazën e parë të përgatitjeve.

 “Ne para pandemisë së bashku me ekipin veç se e kishim planifikuar që të fillojmë me provat e para të shfaqjes, por gjithçka u ndërpre pas raportimit për rastet e para të të infektuarve me koronavirus në Kosovë. Ne tani jemi në fazën e parë të provave të leximit duke përdorur të gjitha mundësitë e ruajtjes së shëndetit duke ruajtur distancën. Sigurisht se realizimi i kësaj shfaqjeje hap rrugë që të rikthehet jeta kulturore dhe teatrore”, ka deklaruar ajo.

Ajeti ka shtuar se ndonëse përpara ka një proces shumë të gjatë deri në realizim e plotë të shfaqjes “Jo simfonia e 5-të po e 9-ta”, planet janë që premiera e saj të jetë muajin e ardhshëm në teatrin e qytetit të Podujevës. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme