займ на карту онлайн потребительский кредит

Komedia ‘’Nuk do të paguajmë më’’ rikthen teatrin e Vushtrrisë

17 Tetor, 2020 - 10:58 am

Medina Pasoma

Artdashësit vushtrrias kishin marrë vendet e tyre në ulëset e Teatrit të Qytetit pas një kohe të gjatë pauze që shkaktoi situata pandemike. Heshtja veçse kishte kapluar sallën si shoqëruese e veprimeve artistike që do të shpaloseshin para një publiku që me padurim priste të fillonte shfaqja. Perdja e Teatrit të Vushtrrisë u hap, për të ndriçuar atë natë shpirtat e gjithësecilit me dritën që fal arti. Komedia ‘’Nuk do të paguajmë më’’ u bë adresa e bashkimit të tyre në të qeshurat e mëdha që do të mbahen mend gjatë, shkruan KultPlus.

‘’Pluhuri’’ i teatrit të qytetit të Vushtrrisë u hoq mbrëmë, duke u mbushur me mallin e shikuesve për të. Ishin momentet gazmore të komedisë me regji të Besar Zahitit dhe skenar nga Dario Foo, ato të cilat sollën rikthimin e objektit prej ku buron arti në qytetin antik, pas një kohe të gjatë në renovim dhe mbyllje nga covidi. Kjo shfaqje në pamundësi të premierës në Vushtrri, ishte përballur me syrin e publikut për herë të parë në Mitrovicë, për të vazhduar më pas me udhëtimin e saj nëpër teatrot e qyteteve tjera si në atë të Tiranës, Suharekës e Ferizajit.

Nën aktrimin e Butrint Lumit, Donika Zeqirit, Ekrem Smajlit, Blerina Veselit dhe Besart Bunjakut; teatri iu rikthye shikuesve të vet, teksa edhe komedia gjeti banim në realitetin jetësor të gjithësecilit. ‘’Nuk do të paguajmë më’’ anipse e shkruar nga një autor i huaj, shprehi artistikisht gjendjen në vendin tonë duke pasqyruar natyrën e njerëzve për të mos respektuar ligjin dhe shtetin, në këmbim të një jete më të mirë.

Antonia ishte gruaja e cila bashkë me shoqen e saj Margaritën nga mungesa e parasë u obliguan që të vidhnin gjëra ushqimore në një nga marketet e qytetit. Mirëpo, kjo binte ndesh me pikëpamjet e burrave të tyre, të cilët shfaqeshin si karaktere të disiplinuara dhe të dhënë pas një jete të rregullave. Ironia shfaqej te fakti që shteti, ligjet e të cilit ia respektonin nuk bënte diçka për ta, teksa ata mbeteshin duke punuar shumë, e duke fituar vetëm sa për mbijetesë.

Të stresuara nga ajo që tani do t’i priste, Antonia dhe Margarita me një energji të fuqishme shfaqin në skenë përpjekjen femërore për të shpëtuar nga situata. Ardhja e burrit të Antonisë nga puna, Xhovanit i bënë dy gratë të veprojnë gjëra absurde, duke e trilluar një shtatëzani të paqenë në barkun e Margaritës, e që në fakt aty i kishin fshehur ushqimet.

Bisedat e mbushura me gënjeshtra në mes grave dhe Xhovanit, për ta mbuluar disi habinë e këtij të fundit për fryerjen e menjëhershme të Margaritës, i pengon polici i cili kërkon hajdutin e vjedhjes, por kësaj radhe pa sukses. Tutje, gratë vazhdojnë rrugëtimin e tyre në spital, në mënyrë që të fitojnë kohë. Në skenë shfaqet burri i Margaritës, Luigji, i cili çuditet nga fakti që gruaja e tij është shtatzënë.

Ndërkaq ashtu siç ndodh rëndom, edhe përbrenda të qeshurave që di të na fal komedia ekiziston një pjesë dramatike, që përbën kthesën emocionale dhe pasqyron realitetin e brishtë të vendit tonë. Në momentin kur te porta e tyre shfaqet një polic në kërkim të personit që do ta arrestoj, gratë vetrrëfehen, duke i dorëzuar në kosh të gjitha gënjeshtrat të cilat i thurrën. Kërkimi i llogarisë nga burrat nuk zgjat shumë, sepse në fakt anipse shfaqeshin si respektues të ligjit, edhe ata i kishin thyer ato qyshmoti. Mungesa materiale i kishte bërë edhe ata që dikur të vodhnin gjësende, që tanimë ato fluturiseshin në skenë nga të dy palët. Ndërkaq mesazhi për këtë shfaqje i cili u duatrokit fuqishëm nga publiku vushtrrias edhe gjatë kohës sa aktorët nuk e kishin përfunduar komplet rrëfimin, qëndronte në obligueshmërinë e jetës për të bërë edhe gjëra të ndaluara, atëherë kur neglizhenca e shoqërisë dhe shtetit bie mbi supet e individit.

Butrint Lumi, aktori i cili i dha jetë rolit të Xhuvanit, në intervistën e tij për KultPlus theksoj se kjo shfaqje i përket realitetit dhe gjithësecili që e shikon do ta gjej veten në të.

‘’Roli i Xhuvanit është një rol shumë interesant, është një personazh i cili bën panik për gjithçka. Ai personifikon disa njerëz të cilët tentojnë t’i mbajnë rregullat tërë jetën e tyre, duke respektuar ligjet të cilat janë të vendsoura nga shteti. Mirëpo fatkeqsisht me mënyrën se si ai vendos të jetoj, nuk mund të kenë as ushqim për të ngrënë darkën ose mëngjesin, e lëre më të udhëtojnë’’, shprehet aktori Lumi i cili përmes energjisë së tij solli të qeshura të mëdha te publiku.

Butrint Lumi vazhdon duke thënë se duartrokitjen e pret çdo aktor si shpagim i punës disa mujore

‘’Duatrokitjen e publikut aktori e pret në fund të shfaqjes mirëpo, ajo është kënaqësi edhe më e madhe kur duatrokitja e tyre është gjatë kohës sa je duke luajtur në skenë’’, thotë jetësuesi i Xhovanit.

Ajo që do t’i mungoj aktorëve nuk do të jenë vetëm duartrokitjet e publikut por, edhe fazat përgatitore të kësaj shfaqje. Donika Zeqiri, aktorja e cila solli mrekullueshëm rolin e Antonias në skenë thekson se qysh nga tani ndjen mall për periudhën një mujore sa ishin në prova të shfaqjes. Ndërkaq aktrimi në teatrin e Vushtrrisë për të do të mbetet një kujtim i mirë.

‘’Ka qenë një ndjenjë e mrekullueshme, unë si tip jam shumë energjik edhe gjithmonë kam pasur qejf që një shfaqje me qenë plotë komedi, plotë energji. Jam shumë e lumtur me këtë shfaqje se e gjej veten në të’’, u shpreh aktorja Zeqiri.

Në anën tjetër, Blerina Veseli aktorja e cila e interpretoj rolin e Margaritës thotë se ndjehet shumë mirë që rihapja e teatrit të Vushtrrisë ndodhi pikërisht me komedinë ‘’Nuk do të paguajmë më’’.

‘’Kemi arritur ta bëjmë një shfaqje pak të lezetshme, një komedi të mirë për publikun. Sa i përket rolit tim, jam shfaqur si një grua pak naive, një karakter më i butë dhe i përkushtuar shumë ndaj burrit të saj, poashtu pak frikacake’’, tha Veseli për Margaritën.

Përgjegjësi i teatrit të Vushtrrisë, Fazli Muharremi u ndje i kënaqur nga performanca e aktorëve përgjatë shfaqjes dhe rikthimit të vendit prej ku buron arti.

‘’Ka qenë një shfaqje e realizuar jashtëzakonisht mirë, ku kanë dhënë karaktere shumë të mira secili aktorë në veti. Ishte kënaqësi pak më e veçantë për arsye se e kthyem publikun vushtrrias këtu në sallën tonë, të cilët e duartrokitën shfaqjen’’, theksoj Muharremi, i njohur me nofkën e tij ‘’Tali’’.

Komedia ‘’Nuk do të paguajmë më’’ do të mbetet gjatë në kujtesën dhe të qeshurat e publikut, por në anën tjetër do të mbetet edhe reflektim i gjendjes reale të tyre. / KultPlus.com

Të ngjajshme