Teatrot e Kosovës bashkojnë forcat për showcase-in teatror 2019

14 Gusht, 2019 - 12:54 pm

Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri “Adriana” Ferizaj, Teatri i Gjilanit dhe Qendra Multimedia nga Prishtina, kanë nënshkruar një ‘Memorandum Bashkëpunimi’, përmes të cilit zotohen të angazhohen bashkarisht, në organizimin e edicionit të sivjetshëm të ”Kosovo Theater Showcase 2019”, që këtë vit do të mbahet nga data 31 tetor deri me 4 nëntor 2019, përcjellë KultPlus.

Në këtë edicion pritet të prezentohen së paku gjashtë shfaqje të prodhuara nga teatrot nënshkruese të këtij memorandumi. Poashtu, edicioni i sivjetshëm i showcase-it 2019, pritet të sjellë në Kosovë rreth 50 kritikë teatri, gazetarë, selektorë festivalesh e admiruesë të teatrit, nga vende të ndryshme të botës.

Përveç Prishtinës, showcase do të zhvillohet edhe në qytetet e tjera të Kosovës. Në këtë mënyrë, mysafirët ndërkombëtarë do të kenë mundësi të rrallë për të parë jo vetëm tendencat më të fundit të skenës së teatrit të Kosovës, por edhe të shijojnë mikpritjen e madhe dhe peizazhin e bukur të Kosovës. Ky edicion gjithashtu do të sjellë disa programe plotësuese; diskutime, panele dhe mbrëmje muzikore.

Memorandumin e kanë nënshkruar drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agim Sopi, drejtori i teatrit “Adriana”, Fatmir Hyseni, drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi dhe drejtori i Qendrës Multimedia, Jeton Neziraj.

Kosovo Theater Showcase 2019 është pjesë e platformës kulturore “Platforma Kulturore e Kosovës 2019 +”. /KultPlus.com

Të ngjajshme