“Kosovo Theater Showcase” këtë edicion synon të promovojë edhe bukuritë e Kosovës

29 Shtator, 2020 - 2:20 pm

Nëpër qytete të ndryshme të Kosovës do të zbarkoj edicioni i 3-të i “Kosovo Theater Showcase”, në të cilën do të shfaqen disa shfaqje teatrore, të prodhuara në vend dhe në botë, shkruan KultPlus.

 Këtë vit “Kosovo Theater Showcase” do të shfaqet përpara publikut nga 27 tetori deri më 1 nëntor, me pjesë teatrore nga Qendra MultiMedia, Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Volksbühne Berlin, Teatri i Qytetit të Gjilanit dhe teatrot & grupet teatrore nga Kosova dhe Serbia.

Programi i këtij edicioni është i mbushur me diskutime, panele dhe mbrëmje muzikore, ndërkaq organizimi i këtij edicioni në disa qytete, e jo në Prishtinë, bëhet në mënyrë që të njihen bukuritë e Kosovës.

“Të ftuarit ndërkombëtarë do të kenë mundësinë e rrallë që jo vetëm të shohin prodhimet më të fundit teatrore të skenës teatrore të Kosovës dhe trendet e saj, por gjithashtu të shijojnë mikpritjen e shkëlqyer dhe peizazhin e bukur të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qendrës MultiMedia.

Disa nga shfaqjet që do të shfaqen në këtë edicion janë: “The return of Karl May”, “I am my own wife”, “a.y.l.a.n”, “Arturo Ui”, “Balava”. Të pranishëm do të jenë 50 mysafirë ndërkombëtar duke përfshirë kritikë teatri, gazetarë, shkrimtarë, regjisorë dhe admirues teatri./KultPlus.com

Të ngjajshme