27 Qershor, 2025 - 12:27 pm
Një nga kryeveprat më të ndjera të periudhës së romantizmit vjen për herë të parë në skenën shqiptare.
Këtë fundjavë publiku artdashës do të mund të ndjekë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, shfaqjen “Mullixhesha e Bukur” (Die schöne Müllerin) të kompozitorit austriak Franc Shubert (Franz Schubert).
“Mullixhesha e Bukur” është një cikël këngësh nga Shuberti, i kompozuar në vitin 1823, bazuar në 20 poezi të Vilhelm Myler (Wilhelm Müller).
Shfaqja shpalos një histori dashurie të pafat, me një thellësi emocionale që prek çdo shpirt. Cikli tregon historinë e një nxënësi të ri të mullirit, i cili bie në dashuri me vajzën e mullixhiut, dashuri e cila do të ketë fund tragjik. Shpresa, xhelozia dhe dëshpërimi ndërthuren në një cikël liedesh me poezitë e Vilhelm Mylerit, që sjellin një tregim të ndjerë poetik, nga baritoni Artur Vera dhe pianistja Etrita Ibrahimi.
Koncerti do të shfaqet ditën e shtunë, në ora 20:00, në Hollin Koncertor të TKOB-së./ KultPlus.com