23 Korrik, 2025 - 6:16 pm
Më 27 dhe 28 korrik, 2025 në Prishtinë vjen premierë shfaqja teatrale “KUJTIME NGA LUMI” – shokut tim Mance, me regji dhe dramaturgji nga Zana Hoxha. Kjo vepër e ndjeshme sjell një rrëfim personal dhe përmes kujtimeve të një miqësie të fëmijërisë që sfidon normat tradicionale dhe stigmat shoqërore.
Në brigjet e një lumi që dikur ishte vend loje, ëndrrash dhe sekretesh, sot mblidhen kujtime, trauma dhe pyetje që s’kanë marrë përgjigje. Kujtime nga Lumi sjell një udhëtim të brendshëm përmes jetëve të dy të rinjve, Hana dhe Mance, të cilët përballen me peshën e pritshmërive shoqërore, krizën e identitetit dhe betejat e padukshme të shëndetit mendor.
Shfaqja do të jepet tek Fontana e Pallatit të Rinisë dhe Burgu i Idealit në Prishtinë.
Shfaqja është pjesë e projektit UNMASC! Promovimi i Drejtësisë Gjinore Përmes Teatrit të Angazhuar Socialisht, i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Frieda./KultPlus.com