Kush nga politikanët do të ‘guxojë’ ta shikojë këtë shfaqje?

8 Korrik, 2023 - 3:56 pm

Shteti më i ri në botë pritet të lindë pas pak. Sekretari i Ministrisë së Sportit kërkon nga trupa e Teatrit të Kosovës që të përgatisin një shfaqje teatrore solemne e cila do të jepet ditën historike të shpalljes së pavarësisë. Për festën e pavarësisë janë ndarë 2 milion euro. Trupa e teatrit ndjehen të privilegjuar dhe krenarë. Por ky ngazëllim ka edhe sfidat e veta. Pas ca kërkesave “estetike”, politikisht korrekte, trupa përballet edhe me dy “probleme” të paparashikueshme. I pari, dita kur duhet të shpallet pavarësia mbahet sekret dhe i dyti, në shfaqje duhet të përfshihet edhe fjalimi ende i pashkruar i Kryeministrit, të cilin ai do ta mbajë në parlament në ditën historike. Dhe derisa ekipi i teatrit fillon provat intensive, Xhejmsi, tekniku i skenës ka një projekt paralel. Ai fillon të konstruktojë një aeroplan me të cilin dëshiron të fluturojë rreth globit me qëllim që, në këtë mënyrë origjinale, të lobojë në shumë shtete të botës për njohje të shtetit të ri. Lajmi për datën e shpalljes së pavarësisë vjen papritur. Në mbrëmje, kabineti qeveritar, mysafirë nga NATO, UN, EU dhe diplomatë të tjerë, vijnë në Teatrin e Kosovës për të parë shfaqjen – epopenë kombëtare…

Me regji të Erson Zymberaj, e autor Jeton Neziraj, në Teatrin e Kumanovës-Drama Shqipe, shfaqet premiera e komedisë politike, “Fluturimi mbi Teatrin Shqiptar”, shkruan Alsat.

Kjo komedi politike, padyshim që ka marr ngjyrat e politikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa në të do të përfshihet edhe këndimi e vallëzimi.

Shfaqja pritet ta ketë premierën më 14 korrik, derisa në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Shkëlqim Islami, Mirsad Abazi, Egzona Salihu, Musa Isufi dhe Faton Ibrahimi.

Muzika është bërë nga Irena Popovic, skenografia Adrian Kadriu, koreografia Krenare Nevzati ndërsa kostumet nga Yllka Brada. / Alsat.mk/ KultPlus.com

Të ngjajshme