“La Rrém’’, revolucionari që i flet kohës, botës e shoqërisë sonë në çdo moment

11 Maj, 2021 - 10:00 am

Era Berisha

Drama muzikore ”La Rrem” erdhi në një piedestal të lartë të ndjeshmërisë nostalgjike dhe ëmbëlsisë së butë ku sado që inkuadroheshin situatat dramatike dhe humoristike, dashuria, adhurimi dhe nderimi i figurës multidimensionale së Muharrem Qenës është shkrirë tërësisht nga performanca e aktorëve të cilët shpirtin e tyre e lanë në skenën e shenjtë ndërsa publikut i dhuruan një llahtari të bukur e të këndshme, shkruan KultPlus.

Shfaqja ”La Rrem”, është shfaqje e dedikuar për artistin shumëdimensional, aktorin, regjisorin, këngëtarin dhe dramaturgun Muharrem Qena. ‘La Rrem’ mendohet të jetë një artist antikonformist, jokonvencional, bohem e dashnor i veçantë por mbi të gjitha një njeri revolucionar që i flet kohës, botës dhe shoqërisë tonë në çdo moment duke portretizuar talentin e rrallë, dashurinë, pasionin, vuajtjet e gëzimet të figurës së mirënjohur të Qenës.

Gjithçka nisi kur numri i madh i të pranishmëve, në mesin e tyre shumë artistë, kolegë, familjar të Qenës, adhurues të talentit të tij dhe jo vetëm, mbushën tërësisht sallën e Teatrit Kombëtar në një qetësi absolute. Dritat u fikën e perdja u hap duke lënë vend për aktorët si: Ernest Malazogu, Ylber Bardhi, Shengyl Ismaili, Arta Selimi, Flaka Latifi, Bujar Ahmeti dhe Tristan Halilaj, të cilët dhanë një performancë që fragmentet e shkëndijave elektrike do t’i vinin në siklet.

Kjo dramë muzikore shpërtheu pamëshirë përmes skenave të shumta të llojllojshme që u shoqëruan me këngët e bukura e unike të Qenës si: ‘Kaqurrelja’, ‘Mallëngjimi’, ‘Oj hanë’, ‘Mustafa’, e për të përfunduar me këngën ‘Lamtumirë’ e cila përçoi një rrotullim emocionesh që shikuesin e vunë në një slitë rul ndërsa rrëqethet e trupit derdheshin rrëke.

Këto këngë të interpretuara nga muzikantët si: Leonard Canhasi, Teoman Ukça, Edmond Gjinolli, Ermal Sadiku së bashku me video animacionet nga Florian Canga që shfaqeshin papritmas në një frymë me skenën, lanë një përshtypje se gërshetimi unik i melodive dhe tingujve tundues po hipnotizonin atmosferën me një sërë thumbimesh nga talenti i performuesve.

‘La Rrém’, përveç se njihet si njeriu revoltues, kryengritës dhe mosnënshtrues, ai është një artist i përmasave të mëdha duke na rikujtuar se Qena është një artist i jashtëzakonshëm multidimensional dhe i pa përsëritshëm andaj edhe kjo dramë është e tij dhe përmes saj u shfaq edhe realiteti i një teatri që zbulon gënjeshtra por edhe të vërteta. Pra, teatri portretizon jo vetëm dashuri, pasion, performanca të çmendura por edhe formën tërësisht të zhveshur të tij duke shpalosur detajet dhe veçantitë më intime të teatrit, qofshin ato të bukura apo të shëmtuara.

Kështu krejt në fund, përveç elementeve simbolike si shalli, që e kishte të vendosur Malazogu, dritat, skena, kostumet dhe skenografia, ajo se çka vulosi fundin e shfaqjes ishte edhe piktura e njohur e Rron Qenës e titulluar ”Artisti” që nëpërmjet video animacionit, mbylli perden e fundit në një ndjenjë që dërgoi publikun në emocione shumëngjyrëshe të cilat ngjyrosën atmosferën me intensitetin e lartë të zhurmës që vinte nga duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta e të pa ndalura të të pranishmëve.

Ndërsa, për të shpalosur më shumë rreth një bashkëpunimi të tillë të cilin ai e vlerëson si të jashtëzakonshëm, për KultPlus foli autori i tekstit Arian Krasniqi.

“Unë kam bashkëpunuar në fazat e draftimit të skenarit, në konsultim me idetë që i kemi pasur me regjisorin për tekstin dramatik dhe mendoj se mbi atë tekst është bërë një shfaqje multimediale me këngë e me muzikë dhe situata komike por edhe ato dramatike. Kjo nuk është jetëshkrim i tij dhe nuk është biografia e tij komplet, por thjesht është një shfaqje që ka elemente nga jeta dhe vepra e Muharrem Qenës por që i dedikohet atij”, shpalos Krasniqi.

Sipas tij, është dashur dhe nevojitur një punë dhe përkushtim i madh për një tekst interesant që komunikon me kohën dhe audiencën prandaj edhe besohet se janë arritur pritshmëritë e publikut. Megjithëse, ai shprehet se nuk ka qenë e lehtë sepse përmasat e një artisti multidimensional janë një përgjegjësi e madhe për tu pasur parasysh.

“Ka qenë një bashkëpunim i mirë me regjisorin, ekipin dhe punën kreative që është bërë edhe në interpretim, muzikë, skenografi, kostume dhe në të gjitha elementet e shfaqjes. Andaj, unë si autor i tekstit së dramës jam jashtëzakonisht i kënaqur me shfaqjen dhe punën që ka bërë tërë ekipa”, përfundon Krasniqi për KultPlus.

Kurse, për të folur rreth idesë për realizimin e një shfaqje të tillë, për KultPlus foli edhe regjisori Kushtrim Koliqi.

“Neve na ka rënë që të punojmë disa monografi ku njëra prej tyre ka qenë monografia e Qenës. Duke e punuar këtë monografi kemi menduar që pse të mos krijojmë̈ një shfaqje për artistin për shkak të gjithë emrit të tij dhe se çfarë ai ka në prapavijë duke përfshirë kontributin e tij në teatër por edhe në fusha tjera”, tregon Koliqi.

Sipas tij, të gjithë mund të shohin dy anët e medaljes. Ana e para është se si disa artistë të rinj mund të bashkohen në një grup për të krijuar diçka që i afrohet standardit të emrit të figurës së Qenës. Por, në anën tjetër emri i tij ka qenë një shtysë dhe motivim për Koliqin që ti shyjnë kufijtë kreativ në punë dhe përkushtim për të arritur një rezultat që ai ka shpresuar që është arritur mbrëmë.

“Ka qenë e vështirë për të krijuar një shfaqje të tillë por ne kemi punuar shumë gjatë dhe besoj që atë energji dhe besim që e kemi pasur brenda njëri-tjetrit për shfaqjen, e kemi arritur mjaft mirë”, përfundon Koliqi për KultPlus.

Gjithashtu, aktori që portretizoi më së miri figurën e Muharrem Qenës, Ernest Malazogu për Kult Plus ka folur rreth vështirësisë për të luajtur këtë rol.

“Ka qenë e vështirë shumë sepse është një figurë kombëtare, një emër shumë i madh dhe nuk e di a do të lind një emër, karakter dhe njeri i tillë si Muharrem Qena”, shpalos Malazogu.

Sipas tij, provat gjithsej kanë shkuar me ndërprerje për shkak të situatës pandemike por që me një punë 4 javore është arritur edhe fundi i shfaqjes. Teksa ai ka treguar se ndonjëherë edhe kanë kënduar në të ‘thatë’ kur mikrofonat nuk kanë punuar.

“Pritshmëritë janë gjithmonë më të mëdha, por besoj që e kemi arritur deri diku, por ne asnjëherë nuk jemi rehat dhe nuk kënaqemi me atë punë që e kemi bërë por besoj që i kemi arritur pritshmëritë e publikut sonte”, përfundon Malazogu për KultPlus.

I pranishëm në këtë natë ishte edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i cili për KultPlus shpalosi përshtypjet e tij për natën e mbrëmshme.

“Besoj që përveç cilësisë artistike ishte një shfaqje që na la shumë përshtypje pozitive sepse sonte ishte një moment shumë i rëndësishëm për ta kujtuar Muharrem Qenën sepse shfaqja iu kushtua atij. Njëri ndër figurat më të rëndësishme të artit dhe kulturës në Kosovë, prandaj besoj që artistët dhe aktorët sonte bashkëpunuan me ekipin që e ka realizuar shfaqjen edhe muzikën që ishte pjesë integrale e shfaqjes”, thotë Çeku.

Sipas tij, ata i kanë dhënë shumë momente të këndshme por në të njëjtën kohë kanë treguar që njerëzit e artit, e sonte të teatrit, do të kujtohen sepse ata do të vazhdojnë të jetojnë përmes veprave të tyre të cilat i kanë lënë pas.

“Ne si institucione jemi shumë të lumtur që artistët tanë më meritor të cilët sot fizikisht nuk janë më në mesin tonë, vazhdojnë të jetojnë në kujtesën tonë por edhe në veprimtarinë tonë artistike”, thotë Çeku.

Për Çekun, fakti që insitucionet e kulturës kanë veprimtari shumë aktive dhe cilësore e bënë atë shumë të lumtur, por ai thotë se nuk duhet të ndalemi asnjëherë që të kërkohet cilësia artistike edhe më e madhe për të prezantuar një dinjitet të produktit vendor artistik në nivel ndërkombëtar.

Ndërkaq, reprizat e shfaqjes ”La Rrem” do të vijnë me datat: 11, 12 dhe 14 maj. / KultPlus.com

Të ngjajshme