Magji teatrore në Prizren Fest, katër shfaqje për një natë për publikun prizrenas

24 Korrik, 2023 - 1:37 pm

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur- Prizren Fest, në natën e dytë të edicionit të tij, që ishte mbrëmë, brenda natës ofroj për shikuesin prizrenas katër shfaqje, gjë që nuk ishte aspak problem që secila nga to të ketë audiencën e saj.

E para ishte shfaqja “Çelësi Magjik”, e cila solli vërtetë një magji teatrore për më të vegjlit tanë.

Nata e dytë vazhdoj me shfaqjen “Aurora” nga Çekia nën regjinë dhe koreografinë e Carolina Arandia. Aurora është një pjesë vallëzimi, një përvojë hipnotike dhe medituese në të cilën dy valltarë imagjinojnë se si ritmi i tyre është i kompozuar bashkë me rendin e universit. Bëhet fjalë për një lidhje, për brishtësinë dhe fuqinë e saj, e cila na e zbulon dimensionin sublim që format e takimit të saj marrin në raport me tërësinë…

“Babai dhe Babai” nga Jeton Neziraj dhe në regjinë e Kushtrim Koliqit, ishte shfaqja e tretë të cilën artdashësit patën mundësinë ta shohin në kuadër të Prizren Fest-it. “Babai dhe Babai”, në dukje një dramë për sfidat e zakonshme të jetës së një familjeje, na zbulon një histori tronditëse dhe një traumë të thellë shoqërore, një plagë që ka ngelur e pashëruar dhe e cila personazhet i mban peng, përgjithmonë…

E natën e mbrëmshme të Prizren Fest-it, e përmbylli shfaqja “Tatuazhi i Trendafili” e cila u dha në oborrin e Lidhjes së Prizrenit me regji nga Zana Hoxha. Shfaqja që Tennessee Williams e quajti “loja e tij e dashurisë për botën”, është një përrallë pasionante e besëtytnive, premtimeve dhe mundësisë së dashurisë dhe pasionit pas një zemre të thyer. Tatuazhi i Trëndafilit ofron një komedi të zgjuar dhe interaktive me publikun ndërsa i kujton atyre që të hapin zemrat dhe të gjejnë shpresën atje ku nuk e presin…

Programi i ditës së sotme i Prizren Fest-it do të vazhdoj me shfaqjen “Tomi dhe Xheri” nga ora 20:00 në Abi Çarshia, pastaj në orën 20:30 shfaqja nga Italia e cila jepet në oborrin e Lidhjes së Prizrenit, dhe e fundit për natën e tretë të festivalit, jepet shfaqja nga Mali i Zi në ora 21:30 në Kino Lumbardhi.

Prizren Fest do të vazhdoj deri me datën 28 Korrik me një program shumë të pasur. / KultPlus.com

Të ngjajshme