Maloku: Për Komunën e Prishtinës, aktorët janë ‘bira e fundit e kavallit’

29 Shtator, 2020 - 8:38 pm

Suada Qorraj

Dikur Teatri i Faruk Begollit, vendi ku aktrimi i jepte jetë publikut edhe vetë sallës, sot ballafaqohet me probleme të shumta, duke u nisë prej atyre bazike, mungesës së aktorëve rezident.

Aktorë të shumtë kanë kërkuar prej Komunës së Prishtinës të jenë pjesë e ansamblit rezident të Teatrit “Dodona”,  për të pasuar me konferencë për medie, e kërkesë që tashmë po del edhe në rrugë, pasi që, një grup i aktorëve kanë paralajmëruar edhe protestë që pritet të organizohet nesër.

Një iniciativë që kishte filluar dy vite më parë, nga aktorët e kryeqytetit ende nuk ka gjetur zgjidhje. Është fjala për shtimin e numri të aktorëve rezident në Teatrin ‘Dodona’, nga katër sa janë tani, në 20, sa e kërkon edhe ligji për teatro në Republikën e Kosovës.

Në një intervistë për KultPlus, Leonit Maloku, një nga përfaqësuesit e komuniteti të aktorëve të Prishtinës ka treguar se që kur kanë filluar të ngrisin zërin për këtë çështje dy vite më parë, ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje definitive nga ana e Komunës së Prishtinës.

Sipas tij, ishte reagimi i kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti, pas rrëzimit të Teatrit të Shqipërisë, ajo çka i nxiti edhe më shumë komunitetin e aktorëve që të reagojnë për këtë çështje, por edhe premtimet e kryetarit që së bashku të gjejnë një zgjidhje.

“Pasi kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, bëri një status duke shprehur keqardhjen e tij për rrëzimin e Teatrit Kombëtar në Shqipëri, unë i reagova me anë të një komenti duke e pyetur se çka ka bërë për komunën tonë, menjëherë pas kësaj ishte vetë kryetari ai që më kontaktoi dhe tha që të punojmë së bashku në mënyrë që të qojmë përpara kërkesën tuaj. Mirëpo që nga ajo kohë takimet dhe mesazhet me kryetarin kanë qenë të pamundura”, ka thënë Maloku.

Maloku tregon se që nga koha kur është mbajtur konferenca me gazetarë në gusht të këtij viti, Komuna nuk i ka njoftuar lidhur me vendimet që janë marrë së bashku me Ministrinë e Financave.

Përfaqësuesi i komunitetit të aktorëve të Prishtinës, ka vetëm një hall, votimin e buxhetit nga ana e asamblesë komunale gjatë ditës së nesërme. Sipas tij në qoftë se nuk ndahet buxheti përkitazi me kërkesat e tyre atëherë teatri ‘Dodona’ do mbes edhe një vit tjetër me vetëm katër aktorë të punësuar.

“Ne kemi bërë kërkesa për shtimin e 16 aktorëve rezidentë në teatrin ‘Dodona’ përpara votimit të buxhetit në asamblenë komunale, sepse në qoftë se nuk aprovohen kërkesat tona atëherë teatri do të mbetet ashtu siç është, me vetëm 4 aktorë, edhe për një vit tjetër”, ka shtuar ai.

Leonit Maloku thotë se për Ministrinë e Financave, të punësuarit janë vetëm numra, ata shohin 17 të punësuar, por nuk e marrin në konsideratë faktin që teatri ka vetëm katër aktorë. Sipas tij janë aktorët atë që e bëjnë teatrin.

“Ministria e Financave të punësuarit i nuk i sheh ndryshe vetëm si numra të punësuar. Dodona ka 17 të punësuar, ka teknik, ka rojtar, ka biletashitës, ka ndriçues dhe vetëm katër aktorë. Por teatri nuk mund të bëhet pa aktorë, sado të nevojshëm dhe të domosdoshëm që janë pjesa tjetër e stafit, aktorët janë të pazëvendësueshëm”, ka pohuar ai.

Aktori ka thënë se Ministria po synon që të punësoj vetëm edhe 5 aktorë, e që sipas tij nuk janë të mjaftueshëm, madje në kundërshtim me ligjin për teatrot. Ai ka potencuar se Prishtina si kryeqytet ka nevojë për më shumë aktorë, sesa cilido teatër në vend.

Maloku ka shtuar se pas konferencës ata kanë menduar edhe organizimin e një proteste. Duke mos dashur të shpalosë shumë detaje rreth saj, ai ka bërë të ditur se nesër në orën 12:00 përballë Komunës së Prishtinës, komuniteti i aktorëve do të organizojë protestë, për të plotësuar kështu edhe kërkesat e tyre.

“Ne pas konferencës hapin tjetër e kemi menduar protestën dhe tash do dalim në protestë nesër në orën 12:00 para Komunës. Kurse me kohë do të mendojmë se cili do të jetë hapi tjetër që do ndërmarrim edhe pse realisht nuk di ndonjë formë tjetër që mund të kryej punë më mirë se protesta”, ka thënë Maloku.

Krejt në fund Leonit Maloku ka thënë se për komunën komuniteti i aktorëve deri më tani ka qenë ‘bira e fundit e kavallit’.

“Siç duket për komunën ne artistët jemi bira e fundit e kavallit, kështu do të mund të thoja, sepse për komunën çdo gjë po ecë edhe pa komunitetin kulturor”, ka përfunduar Maloku./ KultPlus.com

Të ngjajshme