займ на карту онлайн потребительский кредит

Margariti: Teatri i Operas i kthehet publikut në fund të vitit 2019

Janar 30, 2019 - 2:29 pm

Vijon puna në kantierin e rehabilitimit  të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, investimi më i madh në kulturë i qeverisë shqiptare, ku po ndërhyhet pas më shumë se 60 vitesh. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti inspektoi punimet në TKOB, të cilat tashmë ndodhen në një fazë kulmore.
Ministrja Margariti së bashku me ekipin e inxhinierëve dhe drejtuesve të projektit u njoh nga afër me fazat e punës në kantier,  me punimet e ndërtimit, punimet strukturore, ku vlen të theksohet ecuria e mirë e punimeve të interierit, por edhe të instalimeve mekanike dhe elektrike.
“Shpreh angazhimin e qeverisë shqiptare në një projekt madhor, projekt i munguar prej 6 dekadash në investime në Art dhe Kulturë. Ky investim, që kap shifrën e 1,5 milard lekëve, synon t’i rikthejë dinjitetin e munguar artistëve. Punimet po vijojnë me ritme intensive. Bazuar në këto ritme pune të kantierit  besojmë  në një përfundim të këtij projekti në fund të vitit 2019”- u shpreh Margariti.

Projekti për rehabilitimin e Teatrit të Operas dhe Baletit  shumëfishon hapësirat, si për publikun, por edhe për artistët, të cilët do të kenë ambiente më komode për prova. Projekti i rehabilitimit synon një Teatër të Operas dhe Baletit tërësisht të modernizuar, ku  ndryshojnë të gjitha pajisjet e vjetra mekanike të viteve ‘50 dhe automatizohen krejtësisht në shërbim të publikut edhe të artistëve.


Punimet po vijojnë me ritme intensive ku vlen të përmendim punimet strukturore që janë drejt përfundimit si : Platforma e re e Publikut, ballkonet e reja, sistemi i ri i akustikës, gropa e re e orkestrës, nënskena, etj. Vijon puna edhe në punime të tjera që nga termoizolimi, rritja e vëllimit të godinës, ballkonet e skenës, galeritë e auditorit,  sallat e provave me panele të lëvizshme, perdet e lëvizshme, dyshemetë.
Përveç fasadës, i gjithë teatri në brendësi do të ndryshojë pamje pas më shumë se 6 dekadash ekzistencë./KultPlus.com


Të ngjajshme