“Martesa” e Çehovit sjell nostalgjinë për kohën që ikën në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit

27 Shkurt, 2021 - 12:58 pm

Nata e katërt e “Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit” ka vijuar mbrëmë me shfaqjen “Martesa” e A.P Çehov, një shfaqje e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Kjo shfaqje është vënë në skenë nga regjisorja Driada Dervishi nën interpretimin e aktorëve Sanie Hoti, Vilma Hodo, Marsel Rupi, Ervin Doko, Eralda Çaushi, Mimoza Marjanaku, Suela Bako, Xhejn Fama, Adelina Muça, Amos Zaharia dhe Gjergj Doçi.

Komedia me 5 pjesë me një akt  “Martesa”, “Tragjik pa dashje”,  “Ariu”,  “Propozimi”, për t’u mbyllur me “Këngën e mjellmës”, është e konceptuar si një këngë nostalgjie për kohën që ikën, një nostalgji lirike, që përshkruan gjithçka.

Gjithçka ndodh në një martesë, nga të kurdisurat për interes nga e ëma e vajzës. Aty gjen nusen, që do të argëtohet, e një dhëndër koprac. Po ashtu një bashkëshort, që është lodhur nga përgjegjësitë e ngarkesa që i jep çdo ditë e shoqja, e që do të pengojë dhëndrin të martohet, duke i treguar sesi do të jetë pas një viti martese jeta e tij. Një vejushë elegante dhe plot sharm takon një pronar tokash dhe takimi përfundon në një duel! Një djalë i ri, i dashuruar, vendos të propozojë vajzën e ëndrrave të tij për martesë, mirëpo situata shkon në një debat mbi pronat, ku përfshihet gjithë familja.

Në fund, si në fund të çdo dasme, në fakt si në fund të çdo shfaqjeje, reflektim mbi kohën që ikën dhe të bukurën që nuk qëndron.

Festivali ka regjistruar në këto netë një numër të konsiderueshëm të ndjekësve të cilët nëpërmjet faqes zyrtare të teatrit, kanë pasur mundësi të ndjekin shfaqjet.

Festivali vijon sot me shfaqjen e radhës e cila është shfaqja e teatrit të qytetit të Gjilanit “Aylan” me regjinë e Blerta Neziraj. /ata/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme