Me dy valixhe të vogla, “Hollyshit” me turne në Austri, Vejsa: Reagimi i publikut, ishte njësi matëse e suksesit për neve

3 Tetor, 2022 - 11:13 am

Jeta Zymberi

Kur zhvendoseni në një vend të ri, ju largoheni nga zona juaj e rehatisë dhe zgjeroni kufijtë tuaj. Dhe le të jemi të sinqertë: është sa e frikshme, aq edhe emocionuese. Kështu ka vendosur të ‘udhëtojë’ kultura jonë sepse sfidat dhe emocionet e udhëtimit ishte e sigurtë që do t’i gjente në mesin e bashkatdhetarëve tanë në Austri, të cilët padyshim janë të etur për kulturën shqiptare, shkruan KultPlus.

Ishte shfaqja e suksesshme ‘Hollyshit’ e regjisorit Ilir Bokshi, me producente Albulena Kryeziu Bokshin dhe aktorët Adrian Morina e Ylber Bardhi, e cila pas jehonës së madhe që pati pasi u shpërblyer me çmimin për regjinë dhe aktori më të mirë në festivalin ‘’KoKo Fest’’ dhe prezantimin në vendin e njohur si “Producers Club Theaters’’ në New York, kësaj radhe mori rrugën e para për të nisur një turne shfaqjesh në Austri, si pjesë e projektit “Kultura në turne”.

Muaji shtator e dërgoi tragjikomedinë e bazuar në “Gurë në xhepat e tij” nga autorja Marie Jones në katër lokacione të ndryshme në Austri ku secila shfaqje mbushi sallën dhe solli emocione të mëdha.

“Kultura në turne”, ka për qëllim të krijojë një itinerar udhëtimi dhe prezantimit të kulturës shqiptare, me fokus në krijimtarinë artistike bashkëkohore (skenike dhe pamore), në të gjitha shtetet federale të Austrisë.

Dhe për këtë udhëtim të parë kulturor që rezultoi shumë i suksesshëm, në një intervistë për KultPlus, ka folur Ermal Vejsa, një prej bashkëthemeluesve të organizatës “kâ”, i cili po bën një punë të jashtëzakonshme në këtë aspekt.

KultPlus: Shfaqja teatrore ‘Hollyshit’ me regji të Ilir Bokshit pati një turne në Austri, si pjesë e projektit ‘Kultura në turne’, si erdhi ideja e këtij projekti?

Ermal Vejsa: Ishte një dëshirë e kamotshme e ‘kâ’ që të sjellim shfaqje teatrore në gjuhë shqipe në Austri, pasiqë na mungonte dhe mendonim se gjithë komuniteti ynë këtu kishte nevojë. Paralelisht duke luajtur me këto mendime, dëshira ishte që ajo shfaqje të arrinte edhe tek komuniteti shqiptar në pjesët tjera të Austrisë, jo vetëm në Vjenë.  

Zgjeruam kështu konceptin duke krijuar një projekt të quajtur ‘Kultura në turne’, në mënyrë që krijimtarinë shqiptare qoftë atë bashkëkohore apo të trashëguar (dmth. jo vetëm teatrin), ta dërgonim në udhëtim për t’a prezantuar gjithandej Austrisë. Ftuam kështu në bashkëpunim edhe disa shoqata tjera shqiptare nga Salzburg, Linz dhe Graz (Organizata austriako-shqiptare ‘Aleksander Moisiu’, Unioni i Femrave Shqiptare të Diasporës dhe Këshilli Koordinues për Steiemark), duke krijuar kështu një rrjet bashkëpunimi i cili do të lehtësonte realizimin e këtij projekti tej mase.

KultPlus: Cili është qëllimi i këtij projekti?

Ermal Vejsa: Qëllimi është që fillimisht publikut shqiptar, pastaj atij austriak dhe të huaj, t’i shfaqen shembujt më interesant të krijimtarisë artistike nga hapësira kulturore shqiptare, duke ngritur kështu standardin e prezantimit, komunikimit dhe shkëmbimit kulturor këtu në Austri. Kjo patjetër për të ndihmuar zhvillimin e shëndoshë dhe të qëndrueshëm kulturor të komunitetit shqiptar këtu dhe patjetër për të mbajtur lidhjen me vendin tonë amë.   

KultPlus: Pse është përzgjedhur pikërisht komedia ‘Hollyshit’ për të nisur këtë turne?

Ermal Vejsa: Fillimisht kemi dëgjuar kritika shumë pozitive rreth kësaj shfaqjeje teatrore. Pasi kemi parë përmbajtjen, kemi vendosur përfundimisht që ta fillojmë projektin me këtë shfaqje, sepse na dukej sikur mishërohej me komunitetin tonë këtu dhe mund të ndikonte për t’mirë.

Pavarësisht që shfaqja cilësohet si komedi dhe për nga forma e të shprehurit është tejet provokuese, ajo tregon diçka shumë më të thellë, që është dhimbja e lufta e atij komuniteti të vogël irlandez në marrëdhënie me super-industrinë filmike të Hollywood-it të cilën kishin angazhuar pothuajse gjithë fshatin si figurantë (statistë) në film. Aty shfaqej dëshira e flaktë e dy aktorëve irlandez të punësuar vetëm si figurantë për të çarë në karrierë, lufta me paragjykimet, keqshfrytëzimin, mosrespektin, shtypjen, etj. Por, si përfundim tek ta triumfon lidhja me njëri-tjetrin, vetëdija dhe rezistenca e tyre kulturore.  

E gjithë kjo histori komplekse shfaqet në skenë përmes lojës së jashtëzakonshme të vetëm dy aktorëve Adrian Morina dhe Ylber Bardhi, të cilët luajnë më shumë se 25 personazhe të ndryshme, në një paraqitjeje skenike tejet të thjeshtë dhe me vetëm disa rekuizita të thjeshta që i kishin sjellë në dy valixhe të vogla nga Kosova. Kjo shfaqje mbi të gjitha shfaq gjenialitetin dhe talentin e regjisorit Ilir Bokshi.  

KultPlus: Cilat ishin vendet që u prezantua shfaqja?

Ermal Vejsa: Shfaqja ‘Hollyshit’ u shfaq për katër ditë me radhë, së pari në Salzburg me datë 21 shtator në Kleines Theater; pastaj në Graz me datë 22 shtator në Kulturhaus Gratkorn; në Linz me datë 23 shtator në Central Linz dhe shfaqja e fundit ishte në Vjenë me datë 24 shtator në Odeon Theater.

KultPlus: A haset në vështirësi për të siguruar hapësirat (teatrin) në Austri, sa ishin bashkëpunues duke pas parasysh që ishte një shfaqje në gjuhën shqipe?

Ermal Vejsa: Për të realizuar një shfaqje këtu është shumë vështirë, lëre më një turne të tillë me një intensitet të madh siç ishte ky i shfaqjes ‘Hollyshit’, ku përveç sigurimit të hapësirave, shfaqjet duhej edhe të realizoheshin 4 ditë me rend.

Sa i përket Vjenës, kemi hasur në një bashkëpunim shumë profesional me teatrin Odeon, të cilëve ju kemi dërguar materialet e nevojshme dhe e kanë vlerësuar shfaqjen duke e pranuar në programin e tyre. Gjithsesi, dëshira jonë ishte që të arrinim ta përkthenim shfaqjen në ndonjë formë simultane në gjuhën gjermane, por shpejtësia dhe intensiteti i komunikimit që bëjnë aktorët në skenë ishte e pamundur të ndiqej me përkthim.  

KultPlus: Sa ishte interesimi nga ana e publikut shqiptar në Austri?

Ermal Vejsa: Në të katër qendrat ku është luajtur shfaqja, interesimi i publikut ka qenë i jashtëzakonshëm. Gjë që tregon se publiku shqiptar e do shumë teatrin dhe se ideja për të prezantuar një shfaqje teatrore ishte e qëlluar.

Posaçërisht në Vjenë kemi pasur mbi 270 persona në publik dhe salla e teatrit ofronte max. 286 vende. Kishim poashtu prezent përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, si Ambasadorin e Shqipërisë në Vjenë z. Roland Bimo, Konsulin e Ambasadës së Kosovës në Vjenë z. Jeton Maliqi, mikun e shtetit të Kosovës eurodeputitetin z. Lukas Mandl, i cili u shpreh që është shumë falënderues që po sjellet kultura nga hapësira kulturore shqiptare, pasiqë sipas tij, ajo pasuron Vjenën, Austrinë dhe jo vetëm aq.

KultPlus: Cilat ishin përshtypjet e publikut në fund dhe sa u ndatë i kënaqur ju si organizator?

Ermal Vejsa: Pas shfaqjes publiku ishte pothuajse i ngazëllyer dhe me komplimente tejet pozitive rreth shfaqjes. Vërejtëm që edhe provokimet që krijonte shfaqja nuk kishin mbetur pa lënë shenj te publiku dhe ishin hapur disa tema të ndryshme. Ajo çfarë shihej gjatë diskutimeve me vizitorët pas përfundimit të shfaqjes, ishte që secili interpretonte aspekte të ndryshme të shfaqjes në mënyrën e vet: dikush komentonte çështjen e të folurit dhe ruajtjes së dialektit gjë e cila tematizohet shumë në shfaqje, dikush dhimbjen dhe vuajtjen që arrihej të shfaqej përmes një komedie, dikush për formën se si sfidat dhe nënshtrimi që përjetonin dy rolet kryesore në shfaqe tejkaloheshin me humor, etj. etj.

I gjithë reagimi i publikut, qoftë përmes fjalëve falënderuese, këshillave, komplimenteve e kritikave konstruktive, e sidomos duke komentuar e interpretuar tematikat e shfaqjes, ishte njësi matëse e suksesit për neve si organizatorë.

KultPlus: Cili do të jetë projekti i radhës që mendoni ta prezantoni para publikut shqiptar në Austri?

Ermal Vejsa: Tani vjen muaji nëntor dhe sigurisht që nuk do të mund ta lëmë të kalojë pa e shënuar dhe festuar 28 Nëntorin shqiptar. Prandaj këtë vit, shpresoj ta përfundojmë me një prezantim të muzikës qytetare shqiptare me grupin Don’t Listen to Your Neighbours dhe albumin e tyre të dytë ‘Udhëtim në kohë’. Për çdo gjë do të informoheni sigurisht përmes rrjeteve sociale të KÂ, prandaj ju ftojmë të na përcillni.

KultPlus: Ermal, kjo nuk është iniciativa e parë nga ju sa i përket promovimit të kulturës shqiptare në Austri, nga i gjithë ky vullnet?

Ermal Vejsa: Nga dashnia e madhe që kemi për kulturën, artin dhe traditën tonë dhe nga besimi i madh që kemi në to.

Me rëndësi, unë gjithmonë flas në shumës, sepse që nga aktiviteti i parë, akoma pa e themeluar KÂ-në, unë çdo gjë e kam realizuar në bashkëpunim me Lirjetë Avdiun, (bashkëthemeluese dhe bashkudhëheqëse e KÂ). Një person që e do dhe njeh shumë mirë kulturën shqiptare, e cila është e profesionalizuar në ruajtjen e trashëgimisë duke qenë edhe anëtare e ICOMOS, ndërkohë që unë shkollimin profesional e kam në menaxhim të kulturës. Dmth., asgjë e bukur nuk arrihet vet. Ne kemi arritur të bashkëpunojmë me sukses gjithnjë duke shtyrë njëri-tjetrin përpara dhe këtë frymë mundohemi ta përcjellim edhe tek e gjithë anëtarësia dhe mbështetësit e KÂ. / KultPlus.com

Të ngjajshme