Ministri Gashi: Bota e artit shqiptar dhe jo vetëm, e ka humbur një prej pedagogëve dhe regjisorëve më të talentuar

30 Korrik, 2018 - 10:18 am

Sot ka ndërruar jetë regjisori Bekim Lumi, i cili prej kohësh vuante nga një sëmundje, shkruan KultPlus.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi ka shprehur ngushëllimet e tij, ndërsa ka theksuar se skenës teatrore do t’i mungojë zelli dhe kreativiteti regjisorit Bekim Lumi.

Më poshtë e gjeni postimin e plotë të ministrit Gashi.

Lajmin për vdekjen e parakohshme të Bekimit, profesorit e regjisorit tonë të madh e të zellshëm, e morëm me pikëllim të madh.

Pas një lufte më shumë se dy vjeçare me një sëmundje të rëndë, bota e artit shqiptar dhe jo vetëm, e ka humbur një prej pedagogëve dhe regjisorëve më të talentuar.

Regjisori Bekim Lumi, i cili me shfaqjet e tij të shumta e që karakterizoheshin me aspektin minimalist dhe eksperimental, e ka përfaqësuar vendin tonë në shumë festivale teatrore brenda dhe jashtë Kosovës, duke e prezantuar suksesshëm artin teatror ku u nderua edhe me çmime të shumta.

Skenës teatrore të vendit tonë do t’i mungojë zelli dhe kreativiteti i Bekimit dhe për kulturën shqiptare ndarja e parakohshme e tij nga jeta nga beteja me sëmundjen, është një humbje e madhe.

Angazhimi dhe suksesi i tij për familjen duhet të jenë krenari dhe jo dhimbje kurse për ne, shokët, kolegët dhe artdashësit duhet të jetë nxitje dhe frymëzim.

Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Bekim Lumit.

Sinqerisht, KG

Të ngjajshme