‘Monologjet e Vaginës’, për gruan, për seksualitetin dhe për pranimin e vetes

7 Mars, 2018 - 5:38 pm

Gili Hoxhaj

Janë bërë 20 vite qëkur doli botimi i parë i librit “Monologjet e Vaginës” nga autorja Eve Ensler. Këtë vepër mbrëmë në Teatrin “Oda”, e solli Qendra për Art dhe Komunitet- Artpolis, ndërsa gjithë shfaqja ishte dedikim i aktivizmit feminist dhe si shenjë revolte kundër dhunës ndaj grave.

Ani pse kjo vepër ishte shkruar para dy dekadave, dukej se çdo fjalë qëndronte mirë në kontekstin e realitetit.
“Vagina” është kryefjala e shfaqjes, përmes monologjeve aktoret sjellin një ndërlidhje të eksperiencave seksuale me gra dhe burra, për imazhin e trupit e të pranuarit të vetes, për procesin e riprodhimit e të gjitha këto eksperienca kapin realitetin e gruas që nga një moshë e re, e deri tek një moshë më e shtyrë.

Kjo shfaqje mbrëmë erdhi nën regjinë e regjisores dhe aktivistes së njohur Zana Hoxha- Krasniqi, e cila kishte ndërfutur elemente që shfaqja të komunikonte në mënyrën më të mirë të mundshme me publikun. Monologët ngadalë transformohen në dialogë mes artisteve, pa anashkaluar edhe reagimin e publikut.

Kjo shfaqje kishte mbledhur emrat më të njohur të aktrimit në Kosovë, po ashtu dhe aktivistet e shquara të vendit. Për rreth dy orë, teksti provokues u performua nga Anisa Ismajli, Aurita Agushi, May-Linda Kosumovic, Vjosa Abazi, Qëndresa Kajtazi, Daniela Markaj, Donjeta Morina, Adelina Tërshani, Jeta Berisha, Jovana Radosavljevic dhe Alketa Sylaj.

Ato, që në ardhje pranuan duartrokitjet e forta të audiencës që kishte mbushur Teatrin “Oda”. Aktorja Alketa Sylaj është ajo që i pret të gjitha në skenë, e ajo që publikut i shërben muzikë pas çdo monologu. Më shumë se kaq, ndërfutja e saj në monologjet e tyre shpesh ngjalli të qeshurat e publikut. Aurita Agushi është ajo që e hap mbrëmjen ndërsa monologu kalon radhazi tek të gjitha aktoret e ngjitura në skenë e që me stolitë e tyre në kokë kishin marrë një pamje prej aristokrateje.

Regjisorja Zana Hoxha- Krasniqi menjëherë pas shfaqjes ndau emocionet e saj. Ajo tha për KultPlus se ndihet shumë e lumtur me rezultatin e shfaqjes, kjo bazuar edhe në reagimin e publikut dhe në energjinë që e përcollën aktoret. Edhe pse realizimi i kësaj shfaqje ka qenë një proces i shkurtër i punës, ajo thotë se këtë rezultat e kanë nxjerrë kasta e aktoreve që e kanë punuar me pasion dhe përkushtim.

“Ky tekst ka qenë edhe herëve tjera në Kosovë por me lejen e Eve Ensler dhe me përkrahjen e Igballe Rugovës kemi arritur që këtë tekst ta marrin falas dhe ta shënojmë 20 vjetorin e veprës edhe këtu në Kosovë. Puna për shfaqje ka qenë një proces i shkurtër por me shumë pasion, dashuri dhe sinqeritet”, u shpreh Zana Hoxha-Krasniqi.

Veçantia e kësaj shfaqje qëndron pikërisht tek interaktiviteti i aktoreve, e që regjisorja e ka bërë këtë qëllimisht në mënyrë që të krijohet një pjesëmarrje dhe që publiku të bashkëndjejë. Kjo vërehet edhe në pozitën e aktoreve që janë shumë pranë dhe përballë me publikun.
“Edhe pse qasja e tekstit është e tillë që ka humor, unë e kam shtuar dozën e humorit në mënyrë që shfaqja të komunikojë më afër me publikun dhe që ta celebrojmë faktin që jemi gra, që në këtë 8 mars të jetë edhe si një lloj proteste dhe festim i asaj që ne jemi dhe asaj se çfarë ne sjellim çdo ditë në jetët e të tjerëve jo vetëm si nëna por edhe si gra beqare apo çfarëdo që dëshirojmë ne të jemi dhe jo çfarë pret shoqëria nga ne që të jemi”, sqaroi regjisorja Hoxha-Krasniqi.

Anisa Ismajli ishte në mesin e pothuajse dhjetë aktoreve të tjera. Loja e saj komunikoi mjaft mirë me publikun, por e veçanta e saj është se ajo tekstin e kësaj vepre e kishte luajtur në Teatrin “Oda”, para pesëmbëdhjetë viteve me 1 mars, ndërsa pasoi dhe një lexim i mëhershëm skenik në Festivalin “FemArt”. Mbrëmë aktorja u kthye me interpretimin e një teksti tjetër nga ai i viteve të mëhershme.

“Është shfaqje shumë e guximshme dhe që atëherë i ka thyer tabutë ndërsa reagimi i njerëzve ka qenë gjithnjë që ta sjellim përsëri këtë shfaqje në skenë. Shfaqje të tilla duhet të bëhen më shpesh dhe e bukura është që kjo vepër shënon20 vjetorin në mbarë botën kurse unë jam e lumtur që kjo vepër po interpretohet edhe në Kosovë dhe që unë jam pjesë e saj”, tregoi aktorja Anisa Ismaili, e cila tha se tashmë kjo shfaqje i tejkalon përmasat e leximit skenik dhe asaj do t’i pëlqente ta quante performancë.

Në anën tjetër, monologu i Vjosa Abazit flet për aktin e lindjes, e që është një proces shumë i vështirë. Abazi tregoi për KultPlus se reagimi i publikut është sinjalizuesi më i mirë që ne si shoqëri kemi nevojë që më shumë të flasim për tema të tilla dhe komunikimi më i shpeshtë artistik bën që edhe shoqëria të jetë më e hapur.
“Unë u mundova me e shpjegu procesin e lindjes që është një proces shumë i vështirë për gruan dhe jo të gjithë ia dinë, sidomos gjinia mashkullore. Tregohet gjatë shfaqjes, shpjegohet psikologjia e burrave të cilët edhe nuk mund ta dinë vështirësitë e grave”, tregon Vjosa Abazi, e cila rrëfen se tekstin e kësaj shfaqje e ka ushtruar edhe pranë djalit të tij të madh, në mënyrë që edhe ai të jetë i vetëdijshëm se në çfarë procesi kalojnë gratë për t’i sjellë fëmijët në jetë.

Viti 2018-të shënon 20 vjetorin e Lëvizjes “Dita – V”, lëvizje kjo që qysh nga fillimi ka zgjeruar përdorimin e artit dhe aktivizimit së bashku për ndërgjegjësimin e popullatës. “Dita – V” është lëvizje globale aktiviste kundër dhunës ndaj grave dhe abuzimit seksual. Misioni i kësaj lëvizje është “Një botë ku gratë jetojnë të sigurta dhe të lira”.

Gjakova është destinacioni i radhës ku do të shkojë shfaqja.

Publiku i Gjakovës mund ta shoh këtë shfaqje me datë 8 Mars, në hapësirën e kafe-barit Del House – Te Beka duke filluar nga ora 20:00.
Kjo ngjarje është e mbështetur nga United Nations Population Fund – UNFPA/Kosovë, Koalicioni për të Drejtat dhe Shëndetin Seksual dhe Riprodhues – K1 0 dhe CFD/Zvicër./ KultPlus.com

Të ngjajshme