“Muzikali Michael Jackson”, së shpejti në Broadway

23 Nëntor, 2019 - 12:59 pm

Artisti Ephraim Sykes, i cili veçohet për paraqitjet në Broadway, së shpejti do të paraqitet në skenë edhe në një muzikal të ri. Muzikali u pagëzua me emrin e Michael Jackson, dhe nga emri kuptohet se ai i dedikohet ikonës së ndjerë të muzikës.

Sykes, 34 vjeç, veçohet si valltar i talentuar i Broadway, dhe ai sivjet në ceremoninë e nominimeve për çmimet dedikuar valltarëve të filmit e teatrit, u nominua për çmimin “Chita Rivera Awards”. Aktori tashmë ka interpretuar në gjashtë muzikale të Broadway-t, duke filluar me muzikalin “The Little Mermaid”, si dhe ishte pjesë e ekipit të muzikalit të famshëm “Hamilton”.

“Muzikali Michael Jackson” vjen në këtë periudhë kur flitet për trashëgiminë e këtij ylli të madh botëror dhe akuzat që iu bënë për abuzimet seksuale me disa të rinj. Përkundër kësaj, Jackson mbetet njëri prej artistëve më të mirë të muzikës pop, dhe këngët e tij vazhdojnë të inspirojnë një bazë të gjerë të adhuruesve dhe produksione muzikales. “Muzikali Michael Jackson” do të përfshijë shumë këngë të Jackson, të cilat ky yll muzike i ka interpretuar si solo artist dhe si anëtarë i bendit “Jacksons 5”.

Në të merr pjesë një ekip i përzgjedhur aktorësh. Koreografinë e këtij muzikali e ka bërë koreografi, njëherësh valltari i baletit, Christopher Wheeldon, i cili është nderuar me çmimin “Toni” për muzikalin “An American in Paris”.

Veç aktorit Sykes, në muzikal do të paraqiten edhe aktorë të tjerë, të cilët do të luajnë rolin e Jacksons kur ai ishte 10 dhe 20 vjeç. “Muzikali Michael Jackson” është caktuar të shfaqet me datën 13 gusht të vitit 2020 në teatrin Neil Simon të Broadwayt. / KultPlus.com

Të ngjajshme