Në 68 vjetorin e teatrit “Aleksandër Moisiu” shfaqet komedia “Ëndrra e një nate vere”

7 Janar, 2021 - 4:41 pm

Komedia “Ëndrra e një nate vere” e Shekspirit është pjesë e programit artistik online që do sjellë teatri “Aleksandër Mosiu”, në Durrës për publikun.

Me regji nga Driada Dervishi dhe një kast aktorësh të njohur ajo do të shfaqet më 11 janar online për shkak të masave antiCovid.

“Komedia e Shekspirit vjen me pjesëmarrjen e dy prej bashkëthemeluesve dhe figurave kryesore të teatrit në vite, “Mjeshtrin e Madh” Lutfi Hoxha dhe “Mjeshtren e Madhe” Aishe Stari. Edhe pse e shkruar rreth 400 vite më parë dhe e rivënë në skenë me mijëra herë në vende të ndryshme të botës, kjo shfaqje mbetet gjithmonë e veçantë. “11 janar. Live! Na ndiqni!”, bën të ditur Teatri “Aleksandër Mosiu”.

Shfaqja do të vijë nën interpretimin e aktorëve Roland Koça, Hysen Bash’hysa, Mimoza Marjanaku, Xhejni Fama, Gjergj Doçi, Marsel Rupi, Muharrem Asllani, etj.

“Ëndrra e një nate vere” shpreh në mënyrë jashtëzakonisht lirike disa prej temave më të shkëlqyera shekspiriane, ku më të dukshmet janë ato të dashurisë, të ëndrrave dhe të imagjinatës krijuese.

Përmbajtja e veprës përqendrohet në tre ngjarje: përpjekjet dhe përvojat e dy çifteve të dashuruar në një pyll të magjepsur, bota e Mbretit dhe Mbretëreshës së zanave si dhe një grupi zejtarësh të rëndomtë që përpiqen të vënë në skenë një pjesë të quajtur “Pirami dhe Tisba” për nder të dasmës së Dukës së Athinës.

Kjo shfaqje vjen në kuadër të programit artistik në përvjetorin e 68 të Teatrit “Aleksandër Moisiu”. /ata/ KultPlus.com

Të ngjajshme