Në botë janë siguruar fondet për artistët, kurse në Kosovë fondet e artistëve janë qesharake

9 Shkurt, 2021 - 6:58 pm

Shkruan: Diellza Beqaj

Covid-19 dhe dëmet që ia shkaktoi Teatrit

Masa e parë kundër përhapjes së pandemisë Covid-19 ishte mbyllja e tërësishme. Të gjitha hapësirat kulturore u mbyllën. Karantina filloj të na pëlqej, madje zbuluam shumë për veten dhe rrethin tonë. E gjitha kjo u shndërrua në makth kur pas ca javësh, më saktësisht “dy javët e famshme” e gjitha filloi të na përplasej për fytyre. Të mbyllur e pa asnjë zgjidhje, ikja jonë e vetme ishte arti dhe kultura.

Netflixi shënoi rritjen më të madhe që nga krijimi dhe web-faqet me material të piratizuar përfitonin qindra mijëra klikime në ditë. Në anën tjetër, teatrot gjithandej filluan të alarmojnë për pasojat që do pësonin. Si mënyrë e vetme e mbajtjes së ndjenjës së teatrit ishte ‘Live Stream’ i shfaqjeve të punuara gjatë viteve. Ndër të parat teatro ishte Teatri Kombëtar në Londër me shfaqjen “One man, two guvnors”.

E shikuar miliona herë, kjo shfaqje rigjeneroi të hyra nga pjesa e donacioneve. Pas kësaj shfaqje, ky teatër vazhdoi edhe me shfaqje tjera si ‘Jane Eyre’, ‘Treasure Island’, ‘Twelfth Night’, ‘Frankenstein’, ‘Antony and Cleoparta’, ‘A street car named desire’, ‘Coriolanus’ dhe ‘The madness of King George’.

Të gjitha këto shfaqje me vlera të larta artistike nga një ndër teatrot më të mëdha në botë do të kushtonin qindra funta për t’i shikuar në teatër kurse gjatë karantinës ishin falas në Youtube. Drejtori artistik i këtij teatri, Rufus Norris në një intervistë për mediet britaneze, theksoi në prill të 2020- tës se nëqoftëse kjo gjendje vazhdon deri në shtator, pasojat do të jenë të pariparueshme.

Për fat të mirë Britania e Madhe krijoi një fond për Artistët e Teatrit (The Theatre Artists Fund ) dhe ky teatër e shumë teatro tjera në Londër morrën një copë ndihmese. Nga 27 janari 2021 vendi është në karantinë përsëri deri më 7 mars por teatrot janë të mbyllur që nga 16 dhjetori 2020 edhe pse filluan punën në fund të shtatorit 2020.

Ndërkohë në New York, ‘Broadway’ mbylli teatrot deri në zbulimin e vaksinës, me shpresën se ajo do të vie në fund të vitit 2020. Kjo nuk ndodhi dhe optimistët presin që më së largu në verë të 2021-tës të hapen teatrot e ‘Broadway’ me kapacitetet e plota kurse plani sipas gjendjes aktuale pandemike në New York nuk sygjeron hapjen deri në fillim të 2022-tës. Kjo po quhet edhe “Epoka e Errët e Broadway” industri kjo që vlen miliarda dhe rigjeneron miliona nga produksionet e mëdha.

Por edhe një fakt shqetësues është që 63% e audiencës së ‘Broadway-t’ janë turistë nga vendet e tjera dhe me masat kundër Covid-19 që hipotetikisht nëse nuk je i vaksinuar nuk mund të udhëtosh jashtë vendit atëherë Broadway do ketë goditje edhe pas hapjes.

Fatmirësisht, egziston platforma ‘BroadwayHD’ ku përmes një pagese krejtsisht modeste mund të shikohen hitet e Broadway. Një risi kjo të cilën e mundëson edhe platforma ‘Disney+’ ku mund të shikohet mega-hiti i ‘Broadway’, ‘Hamilton’.

Broadway mbetet ende i mbyllur deri në vaksinimin e plotë të banorëve të New York-ut e që pritet të ndodhë ndoshta kah fundi i gjashtë mujorit të parë të këtij viti.

Covid-19 goditi edhe teatrot në Kosovë, e një impakt të madh kishte në teatrot private. Në mugesë të audiencës e cila solli edhe problemeve tjera financiare, u mbyll ‘Qendra Multimedia’ e cila mbi të gjitha ishte një adresë e sigurtë për shfaqjen e mendimeve ndryshe dhe të guximshme.

Një nismë e duhur ishte ‘Live-Stream’ i shfaqjeve të punuara dhe repertoari online. Kjo nismë dha një qasje më digjitale ndaj teatrit dhe krijoi një mendim ndryshe për teatrin në Kosovë, ndoshta më modern.

Pas hapjeve të Teatrove në fund të shtatorit 2020 por me kufizimet e reja, shfaqjet ishin të detyruara t’i përmbahen masave si distanca sociale dhe orarit të pazakontë shkaku i Orës Policore.

Tani në shkurt të 2021-tës, teatrot në Kosovë vazhdojnë të punojnë me kapacitete të përgjysmuara. Me një trend të tillë dhe me rrezikun e shpërndarjes së variantit të ri të Covid-19, humbjet do të jenë tejet të mëdha. Nga fillimi i pandemisë e deri tani, pothuajse një vit, në vendet si SHBA, Britani e Madhe, Francë, Australi etj, janë krijuar fonde që kanë qenë ndihmë e madhe për artistët e goditur nga pandemia.

Në Kosovë, fondi emergjent për artistët duke e barazuar kundrejt humbjeve financiare të krijuara është aq i vogël saqë tingllon edhe qesharak.

Teatri është një ndër institucionet, industritë e artet më të goditura nga pandemia e cila po kalon në një nga kohët më të errëta ndonjëherë duke zbehur historinë e tij mijëra vite të vjetër. Shpresa për rikthimin në gjendjen e mëparshme me një repertoar funksional e shikues të shumtë është tek vaksina kundër Covid-19. Përderisa në shumë vende ka filluar vaksinimi, në Kosovë gjithçka është e paqartë. Derisa artistët vazhdojnë të mirren me politikë e jo të lobojnë për vaksinim të menjëhershëm, teatri nuk do të mbijetoj. / KultPlus.com

Të ngjajshme