Në `Prizren Fest`, zëra të ndryshëm me mesazhe të përbashkëta

27 Korrik, 2025 - 5:27 pm

Në zemër të qytetit, `Prizren Fest` po sjell shfaqje tërësisht të ndryshme në formë, por të lidhura për nga fuqia artistike dhe mesazhi i thellë.

Në një vend simbolik si Burgu i Qytetit, u dha shfaqja “Bëje ose vdis”, prodhim i Teatrit të Qytetit “Hadi Shehu” nga Gjakova.

Me tekst të autorit të njohur Jeton Neziraj dhe regji nga Blerta Rrustemi-Neziraj, kjo vepër thellësisht politike dhe njerëzore ishte një homazh për Ukshin Hotin – intelektualin e shquar dhe simbolin e qëndresës shqiptare.

Një shfaqje që e rikujtoi publikun për sakrificat që ndërtuan themelet e lirisë sonë.Vetëm pak minuta më pas, buzë lumit, u mbajt shfaqja për fëmijë “Tomi e Xheri II”. Një histori dinamike dhe interaktive, ku fëmijët ishin pjesë aktive e skenës, duke mësuar për miqësinë, tolerancën dhe dashurinë – përmes ndjekjes klasike dhe argëtuese të dy personazheve shumë të dashur për publikun.

Ndërkohë, gjatë gjithë javës, ‘Prizren Fest Kids Workshop’ u zhvillua në Shkollën e Muzikës “Lorenc Antoni”. Fëmijët 10–13 vjeç, përmes workshop-it, mësuan të shprehen përmes gjuhës trupore, pantomimës dhe lojës kreative – nën udhëheqjen e artistëve ndërkombëtarë Ayla Kazaz dhe Vojo Cvetanovski, me mbështetjen e OSBE-së.Shfaqja “Oranges and Stones” nga Palestina, e planifikuar të mbahej mbrëmë, është shtyrë për datën 28.07.2025, në mbyllje të ‘Prizren Fest’.

Sot, artdashësit kanë mundësi të shohin shfaqjen “Drunks” nga Bullgaria, duke filluar nga ora 19:30 në Teatrin e Qytetit “Bekim Fehmiu”. Më pas, nga Maqedonia e Veriut vjen shfaqja teatrore dokumentare-verbatim “8%” te Autostrada Biennale Hangar II, duke filluar nga ora 21:30.

Ndërkaq, në Prizren Fest Kids vjen shfaqja e parë profesionale për fëmijë në gjuhën e shenjave, “TRE”, nga Maqedonia e Veriut, nga ora 20:30 te Teatri mbi Lum.

Nga kujtesa historike te humori i pastër fëmijëror, skena e festivalit mbetet e gjallë dhe shumëdimensionale.

Rabije Kryeziu-RTK/ KultPlus.com

Të ngjajshme