Në shenjë proteste, aktori Astrit Kabashi nuk do të luajë në shfaqjen ‘Bordel Ballkan’ me 15 shtator

14 Shtator, 2018 - 10:24 am

Aktori Astrit Kabashi nuk do të jetë pjesë e shfaqjes “Bordel Ballkan” me datë 15 shtator.

Aktori Astrit Kabashi, një prej aktorëve më të mirë kosovarë dhe goxha aktiv në disa projekte teatrore, ka treguar për KultPlus se për shkak të moskryerjes së detyrimeve që ka Teatri Kombëtar i Kosovës ndaj tij dhe aktorëve tjerë, ai nuk do të luajë në këtë shfaqje, në këtë datë.

“Për shkak të moskryerjes së detyrimeve nga Teatri Kombëtar unë refuzoj të luaj shfaqjen “Bordel Ballkan” me datë 15 shtator dhe shpresoj që edhe aktorët tjerë të jashtëm ta bëjnë një gjë të tillë” tregon Kabashi.

Kabashi thotë se me gjithë grevën e cila së fundmi zuri vend në Teatër nga Ansambli Rezident, aktorët tjerë të jashtëm vazhdojnë të diskriminohen pasi nuk kanë një Sindikatë të organizuar.

“Në shenjë proteste nuk do të luaj në shfaqje. Ka 3 muaj e më shumë që Teatri nuk ka kryer obligimet ndaj meje dhe një pjese të ekipës që luajmë në këtë shfaqje. Nuk jemi vetëm ne, sa kam dëgjuar të gjitha institucionet kulturore janë në kolaps financiar dhe përgjigjja është që nuk do të ketë të holla deri në janar të vitit tjetër” tregon Kabashi për KultPlus.

“Bordel Balkan” prekë temën e luftës dhe pasluftës në Kosovë, ndërsa në natën e premierës në Prishtinë, në prillin e vitit të kaluar, edhe pse u lajmëruan kërcënime të ndryshme, shfaqja erdhi fuqishëm dhe pa ndonjë incident.
Shfaqja është menduar të jetë pjesë e Festivalit MESS në Sarajevë, festival ky prestigjioz i teatrove.

Kabashi thotë se në mes të këtij kaosi kulturor në Kosovë dhe faktit që askush nuk jep përgjegjësi, pjesëmarrja në Sarajevë po rrezikohet.
“Jemi ftuar në MESS në Sarajevë por shfaqja ëshë në rrezik të mos marrë pjesë në këtë festival. Por nuk e di pse të gjitha institucionet kulturore po e mbajnë të fshehtë faktin që janë në kolaps financiar, kjo ndoshta shkaku i presionit që bëhet nga Ministria e Kulturës” tregon Kabashi.

Autor i shfaqjes është Jeton Neziraj, ndërsa në të luajnë edhe Adrian Morina, May-Linda Kosumovic, Shengyl Ismajli, Ylber Bardhi, Arta Selimi e aktorë tjerë. / KultPlus.com

Të ngjajshme