“Një ditë” shkriu rrëfimet e 30 grave në lëvizjet e mahnitshme të Trupës së Baletit të Kosovës

26 Nëntor, 2017 - 1:44 pm

Tregimet e grave kosovare mbrëmë erdhën të shkrira në vallëzimin e tetë balerinëve të cilët sollën premierën “Një ditë”, duke shënuar kështu edhe Ditën Ndërkombëtare të Dhunës ndaj Gruas, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Kjo shfaqje mbrëmë erdhi nën koreografinë e amerikanes Christie Coleman, ndërsa në skenë e jetësuan në mënyrë të përsosur balerinët: Teuta Krasniqi, Sead Vuniqi, Leonora Rexhepi, Fisnik Smani, Fatmir Smani, Vjollca Llugiqi, Jeta Musolli dhe Donmir Biblali.

Në një kënd të hollit të Teatrit të Kosovës një grua e re tërheq vëmendjen e të pranishmëve me vallëzimin e saj të lehtë cili përkufizon lirinë që ajo ka deri në momentin kur kapet nga një dorë burri, e që përfaqëson autoritetin e vëllait të saj i madh.

Pas kësaj, e gjithë ngjarja zhvillohet në skenën e Teatrit të Kosovës, ku pjesa e tjetër e shfaqjes fokusohet në ndërveprimin e një familje tradicionale ku balerinët përfaqësojnë dy prindër, një djalë dhe dy vajza. Lëvizjet e balerinëve japin mesazhin e qartë për çështjet me të cilat përballën gratë dhe me rolin e burrave në krijimin e këtij realiteti. Një grua duhet të bëjë gjashtë lëvizje për të arritur në një vend të caktuar, kurse burri arrin në atë vend me një lëvizje të vetme. Punët e shumëfishta të grave vijnë përmes lëvizjeve të shpeshta të balerinave, e të cilat në shumë raste kufizohen brenda një hapësire të një dore të burrit, e që shpesh gjatë vallëzimit kjo dorë drejton edhe lëvizjet e tyre.

Janë burrat ata që zotërojnë pushtetin në punë dhe familje dhe kjo shfaqje paraqet të katërt burrat të ulur në karriget e kuqe brenda skenës. Janë gratë ato që në këtë skenë shpesh ulen për tokë e ngrehen zvarrë madje edhe nga vet gratë, dhe janë po ato që ngrihen përsëri së bashku.

Koreografja Christie Coleman për KultPlus tregoi në mënyrë të detajuar lidhur me zanafillën e këtij projekti, i cili për të reflektuar në mënyrë kaq të saktë realitetin e familjes tradicionale, kishte kaluar në biseda të thella me rreth tridhjetë gra të kryeqytetit.

“Unë kam intervistuar tridhjetë gra në Prishtinë me të cilat diskutuam shtatë çështjet me të cilat ato përballen në baza ditore dhe po ashtu këtu dua patjetër të tregoi se shumica e probleme me të cilat ato përballen janë probleme ndërkombëtare, të njëjta probleme mi kanë treguar edhe miqtë e mijë që jetojnë në Nju Jork. Çështja e parë që nxirret në pah nga bisedat e mija janë e drejta pronësore, e dyta është se një grua humb vendin e punës edhe pse ajo është më e kualifikuar se një burrë, pastaj rrëfime tjera lidhen me punët e shumëfishta që ato duhet të bëjnë gratë si të kujdesen për shtëpinë, fëmijët, për burrin dhe të shkojnë në punë. Një vajzë tjetër paraqitet nën mbikëqyrjen e familjes lidhur me atë se ku shkon, çfarë bën dhe me kë takohet. Vajza tjetër flet për imazhin e trupit dhe problemet e portretizimit të femrave në media ku ka për qëllim të tregoi se standardet e bukurisë nuk janë ato se çfarë ne vërtetë jemi. Dhe çështja e fundit që trajton kjo shfaqje është se 61 për qind e grave në botë përjetojnë dhunë në forma të ndryshme dhe 40 për qind e grave në Kosovë vuajnë nga dhuna në familje dhe kjo është diçka për të cilën ne nuk flasim dhe kjo ishte pikërisht arsyeja përse e kemi ndërthurur në shfaqjen tonë sepse nëse gratë e tjera e shohin atëherë ato e kuptojnë se nuk janë të vetmet që përballën me këtë probleme dhe kështu mund të tregojnë edhe ato përjetimet e tyre”, shpjegoi për KultPlus, koreografja Christe Coleman.

Ajo po ashtu përmes KultPlus përcolli edhe një porosi duke thënë që trajtimi i barabartë gjinor vjen vetëm atëherë kur përpjekjet e shoqërisë arrijnë të jenë të barabarta.

“Shoqëria mund të ec përpara vetëm nëse edhe gratë i shtyjnë të ecin përpara. Nëse duam ta bëjmë ndryshimin, duhet ta bëjmë të gjithë së bashku. Të gjitha këto pabarazi që unë i përmenda, janë pabarazi të cilat ne jemi rritur duke i parë si të natyrshme dhe unë mendoj që është koha që të ndalemi dhe të reflektojmë se çfarë mund të bëjmë lidhur me këto probleme”, përfundoi Coleman.

Balerina Jeta Musolli erdhi mjaft dinamike përmes rolit të saj të një ylli të popit, e cila në të njëjtën kohë përjeton dhunë sistematike nga familja dhe i dashuri. Gjatë shfaqjes vallëzimi i saj që nënkupton lirinë dhe synimet e vërteta të saj shpesh ndërpriten nga personazhet që e rrethojnë. Shpesh duke dënesur dhe në luftë me realitetin, ajo arrin deri në fund për të jetësuar qëllimet e saj.

Jeta Musolli e përshkruan si shumë sfidues rolin e saj në këtë shfaqje ndërsa tregoi për KultPlus se bashkëpunimin e dytë me koreografen Christie Coleman e vlerësoi si shumë të suksesshëm.

“Për mua personalisht ka qenë shumë e vështirë sepse nuk ishte aspak e lehtë ta përjetosh një skenë të tillë por duke qenë se këto gjëra ndodhin edhe në jetën reale mendoj se mesazhi që e transmetuam sonte ka qenë mjaft i qartë që një herë e përgjithmonë duhet të ndalet kjo dhunë. Ky bashkëpunimi ashtu si bashkëpunimi i parë me Christie ka qenë shumë i mirë, unë jam munduar që të jap atë çfarë ajo ka kërkuar nga roli dhe besoj që e kemi gjetur gjuhën e përbashkët”, është shprehur Musolli për KultPlus.

Në dorën e balerinëve një letër që simbolizon pasurinë e familjes kalon sa në një dorë sa në tjetrën mes pëshpëritjeve “E imja”, dhe po ajo letër më pas shqyhet nga vajza dhe djali për të treguar që nëse pasuria nuk ndahet në mënyrë të barabartë atëherë ajo nuk i takon askujt.

Po ashtu një lloj abuzimi vije edhe fshehur në njërin nga këndet e teatrit i cili shfaqet vetëm në periudha të shkurtra, duke reflektuar kështu natyrën e fshehur të dhunës, e cila shpesh ndodh prapa dyerve dhe syve të mbyllur të shoqërisë.

Vjollca Llugiqi në këtë shfaqje erdhi në rolin e nënës e cila përmes djalit të saj shpesh bën edhe trysni ndaj vajzës së saj deri në momentin kur edhe ajo përballet me vështirësi në gjetjen e një punë.

Vjollca Llugiqi tregoi për KultPlus se puna një mujore për këtë shfaqje është përcjell më shumë emocione dhe entuziazëm duke qenë se brenda saj trajton një temë të ndjeshme.

“Duke qenë se ky është bashkëpunimi i dytë me koreografen Christie normalisht që ka qenë pak më lehtë pasi tashmë e njohim stilin e saj, dhe mënyrën e punës se saj e cila mundohet që çdo ngjarje të tregohet në detaje me anë te lëvizjeve. Ka qenë vërtetë një punë me shumë entuziazëm për një muaj pa pushim, po ashtu me shumë emocione të ndryshme duke pasur parasysh se çfarë teme e ndjeshme ishte sidomos për neve femrat, ka pas shume emocione edhe gjatë ushtrimeve duke dëgjuar gjithmonë nga një histori te një gruaje e cila në një apo tjetrën mënyrë ishin të dhunuara psiqikisht dhe fizikisht nga gjinia e kundërt. Shpresoj qe kjo shfaqje te jetë një nga mënyrat më të mira që zëri i femrës të dëgjohet me fuqishëm”, është shprehur Vjollca Llugiqi për KultPlus.

Kjo shfaqje ishte rezultat i bashkëpunimit i Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Un Women ndërsa është aktivitetit qëndron në kuadër të fushatës gjashtëmbëdhjetë ditore për sensibilizimin e shoqërisë lidhur me dhunën ndaj gruas./ KultPlus.com

Të ngjajshme