“Një legjendë për dashurinë” dhe “Këmbë” për 45 vjetorin e Baletit

20 Shtator, 2017 - 3:04 pm

Me rastin e shënimit të 45 vjetorit të themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës nesër do të jepet premiera e shfaqjes “Një legjendë për dashurinë”, nga koreografi Pullumb Agalliu.

Në vigjilje të 45 vjetorit të themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës është bërë edhe prezantimi i i monografisë “Këmbë” me autor Naser Shatrollin, libër i cili përmbledhë aktivitetet e BKK-së, nga dita e themelimit në vitin 1972 deri sot.

Ahmet Brahimaj, drejtor i BKK-së, tha se kjo shfaqje është e treta në këtë sezon dhe se kjo shfaqje është festive për 45 vjetorin.

“Kjo shfaqje është shfaqja e tretë e kësaj sezone dhe kemi pasur goxha probleme, jo probleme në kuptimin e keq, do të thotë jemi ngarkuar më tepër se që ish dashur me qenë të ngarkuar me punë. Kjo shfaqje është festive shënjimi i përvjetorit të 45 të themelimit të Baletit, 45 vjet nuk kanë shkuar lehtë kanë pasur shumë sakrifica, shumë sfida të cilat vetëm ne që kemi jetuar dhe që jemi përballur me to mundemi me i shpjegua”, tha ai.

Kurse, Pullumb Agalliu, koreograf i shfaqjes “Një legjendë për dashurinë”, tha se kjo shfaqje për të ka një rendësi të jashtëzakonshme. Ai tha se është shumë i kënaqur me Trupën e Baletit për punën të cilën po e bëjnë dhe se kjo Trupë e Baletit në Kosovë duhet të dihet të mbahet.

“Kjo shfaqje për mua ka një rëndësi të jashtëzakonshme, jo se thjeshtë si miq por si njerëz që e duan këtë vend dhe kemi ndjenja që kjo trupë dhe për mua Kosovën ta shoh mirë e ma mirë. Tash për sa i përket kësaj shfaqje unë nuk e kam pasur shumë vështirë me thënë të drejtën se është vepra e tretë dhe këtë trupë e njoh shumë mirë”, tha Agalliu.

Ai tha se në këtë shfaqje shkojnë disa momente të popullit shqiptar të cilat i ka kaluar.
Autori i monografisë “Këmbë”, Naser Shatrolli, tha se ky libër paraqet një histori 45 vjeçare të Baletit Kombëtar të Kosovës.

“Unë jam nisur me këtë parim tek ky libër se duke e ditur se kush ka parakaluar 45 vite në këtë skenë, kush ishin ata emra kompozitorësh, koreografësh, emra të balerinëve sidomos si të thuash që e bëjnë historinë, e krijuan identitetin e Baletit Kombëtar. Vërtetë kam ndjerë përveç dashurisë që e kam për baletin e kam ndjerë thellë në shpirt dhe në obligim që të krijohet një histori”, tha ai.

Shfaqja “Një legjendë për dashurinë” vjen premierë nesër në ora 20:00, ndërsa reprizën e parë do ta ketë me datën 22 shtator./ KultPlus.com

Të ngjajshme