“Një shfaqje teatri me 4 aktorë…” u prezantua edhe në Gjermani

16 Tetor, 2017 - 2:21 pm

Hiq më pak se dramaturgun momentalisht më të kërkuar të Ballkanit, Jeton Nezirajn, regjisoren e suksesshme Blerta Nezirajn e bashkë me ta edhe me emra të njohur të skenës teatrale e muzikore të Kosovës, solli shoqata kulturore URACult e.V. në Köln.

Shfaqja e tyre teatrale “Një shfaqje teatri me 4 aktorë…!” e cila është prezantuar me shumë sukses në vende të ndryshme, u prezantua edhe në metropolin pranë lumit Rhein, ku nga publiku në Köln, u prit me entuziazëm si gjithkund, duke e shpërblyer me duartrokitje të gjata.
Për këtë shfaqje është shkruar mjaft por nuk është e tepërt të vlerësohet edhe një herë se aktrimi i Shengyl Ismailit, Adrian Morinës, Ernest Malazogut e Shpëtim Selmanit ishte briliant, si në grup ku u harmonizuan shkëlqyeshëm e poashtu edhe në rolet e tyre të ndara.

Edhe muzicientët Art Lokaj dhe Drin Tashi si pjesë e shfaqjes, me impulsin e tyre muzikor rrumbullakuan një shfaqje të suksesshme. Dhe kjo shfaqje që erdhi nga Kosova për tu shfaqur para audiencës shqiptare në Gjermani, pason ngjarjen kulturore URACult Authentics, që është mbajtur dy javë më herët po nga URACult e.V. në Köln./KultPlus.com

Të ngjajshme