“Njeriu që mungonte”, sonte premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës

15 Shkurt, 2018 - 10:48 am

Premiera e shfaqjes “Njeriu që mungonte” me regji të Isa Qoses e me tekst të Zymber Kelmendit do të shfaqet sonte në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Ngjarja e kësaj shfaqje lidhet me personazhin e Agronit, i cili për disa vite ka qenë i zhdukur i luftës. Kthimi i tij në shtëpi, e shokon familjen e tij. Në mesin e tyre, lind një dilemë: si do t’u tregojnë të tjerëve për kthimin e tij! Shumë projekte janë bërë në emrin e “rënies heroike” të tij. Nëse ai del, do dalin telashe për përfituesit e projekteve. Familja e tij merr një ndihmesë financiare si familje e dëshmorit, dhe ato të ardhura i kanë futur në kredi. Tashmë Agroni ka dy rrugë: të dal hapur në publik, apo të pres përfundimin e projekteve. Koha kalon dhe Agroni vazhdon të qëndroj brenda. Në oborrin e shkollës qe mban emrin e tij, pritet të vendoset shtatorja e tij. Ai krejt në fund del me një vendim.

Ngjarjen e kësaj shfaqje në skenë do ta jetësojnë aktorët: Teuta Krasniqi, Basri Shala, Agron Shala, Doresa Rexha dhe Gani Rrahmani. Skenografe e kësaj shfaqje është Shqipe Kamberi, kostumografe Samka Ferri, skulptor Agron Blakçori dhe kompozitor Korab Shaqiri.

Premiera do të shfaqet sonte duke filluar nga ora 20:00, kurse reprizat e para më 17 dhe 19 shkurt duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com

Të ngjajshme