“O moj Shqipëri” shënon 20-të vjetorin e Çlirimit të Kosovës

11 Qershor, 2019 - 9:39 pm

Koreografi Pëllumb Agalliu është kthyer nga Azerbejxhani në Teatrin Kombëar për të shënuar 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës me shfaqjen e baletit “O moj Shqipëri”, shkruan  KultPlus.

Agalliu, tematikën e kësaj shfaqjeje e ka ndarë në tri faza, si simbolikë e periudhave në të cilat ka kaluar populli shqiptar, e premierës së natës së sotme i ka paraprirë një konferencë për medie, në të cilën Pëllumb Agalliu ka sqaruar për publikun motivet e kësaj shfaqjeje, me ç’rast ka thënë që titulli vjen i rimodeluar nga poema e famshme e Pashko Vasës, si dhe tematikën që trajton Sami Frashëri në veprën monumentale “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”.

Kritikët dhe miqtë e kompozitorit kanë treguar se Agalliu e ka kombinuar kulturën e pasur të letrave shqipe me simfoninë e IX të gjeniut të muzikës klasike Ludwig van Beethoven duke simbolizuar artistikisht sulmet ajrore të NATO-s, të cilat i dhanë fund luftës që kishte qëllim spastrimin etnik të kosovarëve.

Pas ndarjes tripjesëshe të kësaj shfaqjeje fshihet një mesazh tejet i fuqishëm dhe i mbushur, si me emocion ashtu edhe me filozofi.

Ashtu siç kishte bërë Sami Frashëri para tij, Agalliu e ndanë Shqipërinë në: Shqipëria e bashkuar, Shqipëria e ndarë dhe Shqipëria e çliruar nga miqtë euroatlantikë.

I pyetur nga KultPlus për finalizimin e shfaqjes ai u shpreh shumë i kënaqur, si gjatë provave gjenerale ashtu eshe gjatë performancës së belerinëve. Përmes buzëqeshjeve dhe lëvizjeve të koordinuara ata ju ftojnë në dramën e tyre për t’iu treguar përmes lëvizjeve historinë se si u çlirua Kosova. Efektet dramatike, tymi, veshjet dhe mimikat e balerinëve rrisin emocionin dhe na rikthejnë prapë në kohën e luftës. Perveç tjerash shfaqja shoqërohet nga poezia ‘O moj Shqipni’ nga Pashko Vasa Rikujtojmë gjithashtu se premiera e natës së sotme, performuar nga Trupa e Baletit të Kosovës do të shfaqet edhe me rastin e festimeve për 20-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, si kërkesë e veçantë e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Përveç kësaj shfaqjeje, shfaqjet më të famshme të Agalliut janë: ‘Carmen’, ‘E bardha, e zeza’, ‘Diplomatët’ e shumë të tjera./Rrona Jaka/KultPlus.com

Të ngjajshme