7 Korrik, 2025 - 11:59 am
Katër aktet e veprës ‘Carmen’ të kompozitorit francez Georges Bizet do të interpretohen në Prishtinë më 22 dhe 24 korrik, nën organizimin e Operës së Kosovës, në ambientet e AMC Hall.
Opera ‘Carmen’, e adoptuar nga novela e Prosper Mérimée, është një nga veprat më ikonike të muzikës klasike dhe realizmit në operë dhe mbetet një nga kryeveprat më të interpretuara në gjithë botën.
Magjia e kësaj opere që ka pushtuar skenat më prestigjioze të botës, tani për herë të parë në këtë formë madhështore vjen edhe në kryeqytetin e Kosovës. Carmen shfaq historinë e një gruaje të lirë dhe të pavarur dhe lidhjen e saj dashurore, pasionante e destruktive me Don Jose. Opera shkrihet në gërshetimin e dashurisë, pasionit, lirisë, obsesionit dhe tragjedisë.
Carmen përbën një urë lidhëse midis traditës së opéra comique dhe realizmit apo verismo-s, që karakterizoi operën italiane të fundit të shekullit XIX. Muzika e Carmen-it është vlerësuar gjerësisht për brilancën e melodisë, harmonisë, atmosferës dhe orkestracionit, si dhe për mjeshtërinë me të cilën paraqiten emocionet dhe vuajtjet e personazheve.
Interpretimi i kësaj vepre në Prishtinë realizohet me përkushtim të lartë artistik, nën organizimin e Operës së Kosovës.
Premiera: E martë, 22 korrik 2025
Rishfaqja: E enjte, 24 korrik 2025
Lokacioni: AMC HALL/ KultPlus.com