“Pa mua”, shfaqja që u prezantua për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës

9 Qershor, 2021 - 11:16 pm

Mbi gjashtëdhjetë pjesëatër të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të shoqëruar edhe nga Ministri i Ministrisë së Mbrojtjes Armend Mehaj, kishin zënë vendet në Skenën e Vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, dhe me emocion prisnin të shihnin nga afër lojën e aktorëve në shfaqjen “Pa mua”, me tekst të Samuel Becket, e që për publikun e Kosovës ka ardhë shfaqje e ndarë në dy pjesë, pjesa e parë me regji të Shkurtë Aliut, kurse pjesa e dytë me regji të Alban Beqiraj.

Ishte një ndërlidhje jo e zakonshme në ambientin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku një audiencë e tërë ishte me uniformë, përderisa mjeshtërisht, në dërrasat e skenës, rolit të saj i jipte shpirt aktorja Donika Ahmeti, e në pjesën e dytë me rolet e tyre luajtën; Rajmonda Ahmetaj, Afrim Muçaj dhe Labinot Rraci.

Shkurtë Aliu në lidhje me këtë paraqitje para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës  u shpreh të jetë entuziaste, pasi që sipas saj, edhe më herët kanë pas audiencë nga ushtarët, por që kanë ardhë në mënyrë individuale, por që një shfaqje të prezantohet enkas për një audiencë të tillë, sipas saj është hera e parë.

“Ideja ishte e imja, dhe përgjigja ishte e menjëhershme edhe nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, ishte një emocion i veçantë”, ka thënë Aliu për KultPlus.

Kurse ministri Armend Mehaj është shprehë se iniciativa të tilla do të mirëpresin edhe në të ardhmen.

Shfaqja “Pa mua”,  kishte premierën në muajin shkurt, kurse tashti vazhdon reprizat në kuadër të repertorit të TKK-së./ KultPlus.com

Të ngjajshme