Pas pesë viteve, TKOB rifillon aktivitetin artistik

7 Shtator, 2021 - 11:45 pm

Pas 5 vite mbyllje, duke filluar nga data 15 shtator përmes një sërë aktivitetesh celebruese nën sloganin “Rikonstruksioni – Hapja e TKOB”, do të nisin eventet e inaugurimit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Shpallja e ceremonisë së inaugurimit të rikonstruksionit të teatrit u bë sot në përvjetorin e 65-të të krijimit të TKOB.

Në konferencën për shtyp, të organizuar ditën e sotme në TKOB, merrnin pjesë ministrja e Kulturës, Elva Margariti, Drejtoresha e Përgjithshme Zana Çela.

15 Shtator 2021- Dita e parë e ceremonisë së inaugurimit të rikonstruksionit të TKOB

Nis me ceremoninë zyrtare të inaugurimit të rikonstruksionit të TKOB përmes një prezantimi – guidë të ambienteve të rikonstruktuara, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe të gjithë përfaqësuesve të lartë të shtetit, artistëve, miqve të TKOB, medias dhe trupit diplomatik, etj.

19.00-19.30 – RIKONSTRUKSIONI – 2017 – 2020 – Dokumentar premierë.

19:30 – Grand Gala- Hapja e TKOB”
Koncert i madh celebrues me pjesëmarrjen e trupave të TKOB, si dhe artistëve më të mirë shqiptarë të operas, baletit, instrumentit. Me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të artistit më përfaqësues të historisë së sotme të operistikës botërore, Placido Domingo. Me përfaqësuesen më të denjë ndërkombëtarisht, të interpretimit operistik shqiptar, Ermonela Jaho. Me pjesëmarrjen e solistëve yje të TKOB, si: Ylber Gjini, Vikena Kamenica, Eva Golemi, Armando Likaj, etj.

Programi është i bazuar në titujt e shfaqjeve më të mira të historisë së teatrit dhe produksionet e TKOB në katër vitet e fundit të cilat janë pjesë të repertorit klasik më të njohur nga e gjithë audienca.
Këto tituj do të prezantohen duke u mbështetur në kronologjinë historike të shfaqjeve te tyre në skenën e TKOB./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme