Pas sukseseve në botë, balerini Gentian Doda rikthehet në Shqipëri si koreograf

12 Tetor, 2020 - 11:29 am

Balerini Gentian Doda kishte nisur rrugëtimin e tij në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, për të vazhduar tutje duke shkelur teatro të ndryshme të botës dhe duke rrëmbyer çmime të shumta. Ndërkaq tani ai sërish po rikthehet në vendin ku kishte nisur karrierën, kësaj radhe si koreograf, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport e Shqipërisë, Elva Margariti nëpërmjet një postimi në facebook. Ajo kujtoj kohën kur Doda ishte një balerin i ri në fillimet e tij, ndërkaq sot është “një yll i skenave botërore”.

“Gentian Doda rikthehet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit si koreograf, për të nisur një rrugë të re bashkëpunimi, me një tjetër energji, falë edhe ambienteve të rinovuara të TKOBAP”, ka shkruar Elva.

Doda pasi nisi në këtë teatër karrierën e tij, vazhdoj në Teatrin Shtetëror të Operas dhe Baletit të Azerbajxhanit, Teatro Arena di Verona, Balletto di Parma, Compañía de Victor Ullate dhe Compañia Nacional de Danza drejtuar nga Nacho Duato.

Në vitin 2011, Gentiani mori Çmimet e Parë të Koreografisë në konkurset e Kopenhagës dhe Hanoverit, si dhe Çmimin e Prodhimit Scapino. Që atëherë, ai ka krijuar premiera botërore për Institutin Koreografik të New York-ut, Scapino Ballet, Direccion Nacional de Danza Santo Domingo dhe Staatsballet Nürnberg, Gärtnerplatztheater, Teatro Massimo Palermo.

Në gusht 2014, atij iu ofrua pozicioni i Mjeshtrit të Parë të Baletit të Staatsballett Berlin, ku ai ishte në rol për katër vjet. Rikthimi i tij në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit është një vlerë e madhe për kulturën shqiptare./KultPlus.com

Të ngjajshme