‘Peer Gynti nga Kosova’ shkon në Lumbardh

9 Tetor, 2017 - 11:40 am

‘Peer Gynti nga Kosova’, me tekst të Jeton Neziraj e regji të Agon Myftarit të mërkurën më 11 tetor, me fillim nga ora 20:00, shfaqet në Kino Lumbardhi në Prizren, shkruan KultPlus.

Shfaqja sjellë një rrëfim për një ëndërr të dështuar. I udhëhequr nga një shpresë e thjeshtë për jetë më të mirë dhe për të gjetur lumturinë, Peeri i ri, para luftës në Kosovë, niset për të kërkuar të ardhmen në ‘parajsën’ e quajtur Evropë.

Ajo çka ndodhë me këtë të ri gjatë këtij udhëtimi reflekton eksperiencat e shumë desperadove të rinj të cilët çdo vjet, të mbushur me shpresë, lëshojnë atdheun e tyre. Shpesh, në atdheun e tyre të ri, të keqtrajtuar nga autoritetet, të izoluar dhe larg nga shtëpia, me mungesë perspektive dhe të mospërfshirë në shoqëri, atyre ëndrra u bëhet një makth i madh.

Në dëshirën e tyre për t’u pranuar ata shpesh bien viktima të shokëve të këqij, të cilët ua ofrojnë “sigurinë e munguar”. Peer, personazhi kryesor i kësaj drame, e gjen veten të respektuar në një grup shqiptarësh të cilët ia tregojnë atij shkathtësitë kriminale dhe i garantojnë siguri. Megjithatë, pavarësisht kësaj, ai shpejt bie në burg. Gjatë kësaj periudhe në burg, gradualisht fillon procesi i radikalizimit. Religjioni i jep atij kurajë, kuptim në jetë dhe ia forcon vetëbesimin. Këtu drama merret me një problem aktual në shoqëritë tona – radikalizimin religjioz të të rinjve në burgje. Shumë nga këta të ashtuquajtur ‘luftëtarë të shenjtë’ nga Evropa, të cilët luftojnë në Siri, janë radikalizuar në burgje.
Por pavarësisht seriozitetit të temës, shfaqja asnjëherë nuk bëhet patetike apo didaktike. Në fund, publiku e lë shfaqjen jo vetëm i merakosur dhe kuptimplotë, por edhe i argëtuar në mënyrë perkfekte.

“Publiku në shfaqje e ndjenë që ky Peer Gynt modern jo vetëm se dëshiron të tregoj një rrëfim autentik, por edhe të tregoj një rrëfim të vërtetë, si shembull për krejt shpresat për liri, për lumturinë dhe prosperitetin në Evropën e tanishme. Dhe për dëshpërimin”, shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Tristan Halilaj, Donikë Ahmeti, Shpetim Selmani, Ernest Malazogu. Ndërsa skenografia nga Nicola Minssen, kompozitor është Gabriele Marangoni, kostumet i ka bërë Yllka Brada e dramaturg Stefan Schletter.

Kjo shfaqje u mundësua me përkrahjen bujare të popullit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID. Përmbajtja është përgjegjësi e Qendrës Multimedia dhe nuk pasqyron doemos pikëpamjet e USAID apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Kjo shfaqje është realizuar nga Qendra Multimedia, përmes Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe realizuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC./ KultPlus.com

Të ngjajshme