Përkrah Vasfijes, shfaqja ‘Bisha në hënë’ tregon historinë e luftës dhe të përdhunimeve

28 Qershor, 2019 - 12:17 pm

Nën hijën e hënës që rrinte në fund të sallës regjisori Butrint Pasha na sjellë në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar historinë e tre jetimëve të luftës që krijuan një familje së bashku, një histori që e la edhe Vasfije Krasniqin në lot. Mbrëmja e të enjtes u shënua me shfaqjen madhështore të dy armenëve që i shpëtuan gjenocidit dhe përndjekjes fetare të turqve për të krijuar një jetë në botën e re, shkruan KultPlus.

Duke u bërë edhe vet pjesë e shfaqjes, në rolin e narratorit, Pasha i ka grumbulluar të gjitha tragjeditë e luftës në një tregim që të mbante nën ethe dhe të bënte të buzëqeshje me shakatë që me mjeshtëri i nxirrnin shikuesit nga terrori i luftës. Përkrah Vasfije Krasniqit, aktorët Armend Baloku dhe Vlora Nikçi arritën të tregonin historitë e përdhunimit të grave e të fëmijëve.

Pasha e ka shfrytëzuar me mençuri skenën e vogël të teatrit duke i bërë edhe shikuesit pjesë të shfaqjes e duke komunikuar me ta përmes fotografive dhe rrëfimit që bënte ai vet. Duke cituar herë nga bibla e herë proverba të ndryshëm, shfaqja ka trajtuar dinamikën e raportit burrë-grua duke e refuzuar kategorikisht mendësinë që gruaja duhet të rrijë e heshtur e të bëjë atë që do burri i saj.

Historia zhvillohet rreth tri personazheve fatkeqe që kanë humbur gjithçka nga lufta, gjithçka përveç një simbolike që te të tre është një provë nga e kaluara. Xhaketa, monedha e artë dhe kukulla prej leshi, janë të vetmet gjëra që personazhet kanë trashëguar nga koha e luftës dhe për secilin prej tyre kjo dhuratë simbolizon diçka të ndryshme. Nga një amplitudë në tjetrën kalohej me aq lehtësi sa harroje kohën, vendin e hapësirën.

Të pyetur nga KultPlus, shikuesit i dhanë vulën duke thanë që u kthyen në kohë për ta përjetuar vetë persekutimin e krishterë dhe traumën e humbjes së gjithë familjes në duart e pushtuesit turk.

“Kjo është një shfaqje perfekte për sallën e vogël. Kemi provuar t’i ftojmë shikuesit brenda narrativës së tregimit dhe t’iu tregojmë një histori nga e shkuara. Kjo nuk është vetëm një histori, histori të tilla fatkeqe i ka përjetuar në lëkurë populli ynë”, ka thënë Pasha për ne pas përfundimit të shfaqjes.

“Kemi punuar shumë dhe sonte gjithçka u finalizua me shumë sukses, unë jam i mbërthyer nga emocioni dhe reagimi i publikut për shfaqjen që u kam prezantuar. U ndjeva i plotësuar se e pashë që gjithë lodhja dhe angazhimi u shpërblyen kur publiku duartrokiste me entuziazëm dhe me lot në sy”, shtoi tutje regjisori.

Shfaqja “Bisha nën Hënë” zgjatë më shumë se një orë dhe do të përsëritet dy ditë rresht pas premierës, me datat 28 dhe 29 qershor./RronaJaka / KultPlus.com

Të ngjajshme