Përkujtohet aktori i shkëlqyer, Agim Qirjaqi

28 Mars, 2022 - 9:45 pm

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti përkujtoi sot aktorin Agim Qirjaqi, në kuadër të “Muajit të Teatrit”.

“Sot, në ditën e ndarjes së tij nga jeta, kujtojmë aktorin e shkëlqyer, Agim Qirjaqi”, tha Margariti.

Agim Qirjaqi lindi në Kolonjë në vitin 1950. Karrierën si aktor e filloi në Teatrin Kombëtar, pas mbarimit të studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Rrugë të bardha” i Viktor Gjikës (Profesori), “Lulëkuqet mbi mure” i Dhimitër Anagnostit (Drejtori i Shkollës) etj. Me këtë të fundit fitoi çmimin e parë në Festivalin e 2-të Filmit, më 1977.

Më pas punoi si regjisor në TVSH, ku realizon si regjisor e aktor shumë telefilma, mes të cilëve edhe filmin artistik “Dorina” (1980).

Gjatë kësaj kohe vazhdoi të punojë intensivisht në filma, duke qenë i preferuar nga shumica e regjisorëve tanë. Gjithashtu filloi të japë mësim, mjeshtërinë e aktorit, në Akademinë e Arteve, përvojë të cilën e vazhdoi edhe pas rikthimit në Teatrin Kombëtar, më 1981. Në vitet ’80 interpretoi rregullisht në teatër dhe në film, duke qenë njësoj i suksesshëm, si në role dramatikë, ashtu edhe në ata komikë.

Më 1989 largohet për herë të dytë nga Teatri Kombëtar, këtë herë për një trajnim 2-vjeçar pranë të famshmit Xhiorxhio Strehler (Giorgio Strehler) në Teatrin Pikolo (Il Picolo Teatro) të Milanos dhe pastaj në Teatrin Elizeo (Eliseo) të Romës. U rikthye në Teatrin Kombëtar më 1991 këtë herë më i dhënë pas regjisë. Lista filloi me “Rikardi III” të Shekspirit (1992) dhe vazhdon me “Fando e Lis” të Arrabalit, me të cilën fiton Çmimin “Aleksandër Moisiu” në Festivalin e vitit 1994, “Marrëzia e madhështisë” të Vangjel Kozma, “Këngëtarja tullace” të Ioneskos dhe mbaron me “Armiku i popullit” të Ibsenit.

Krahas krijimtarisë, angazhohet edhe në veprimtaritë ‘jashtë skene’, si përkthyes dramash (“Fando e Lis” dhe “Këngëtarja tullace”), bashkëpunëtor dhe anëtar i Këshillit Botues të buletinit Teatër, anëtar i bordeve të Studios Alba Film dhe Akademisë së Arteve, bashkëthemelues dhe kryetar i parë i Shoqatës Mbarëkombëtare të Artistëve të Teatrit (1992). Më 1996 fitoi titullin “Asistent Profesor”. Në sezonin 2002-2003 ka qenë drejtor i Teatrit Kombëtar.

Qirjaqi u nda nga jeta më 28 mars 2010 në moshën 59-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. / KultPlus.com

Të ngjajshme