“Plaçkitësit” në Kumanovë

4 Dhjetor, 2017 - 7:30 pm

Sot, në Teatrin e Qytetit të Kumanovës kanë filluar provat për shfaqjen “Plaçkitësit” sipas Joe Orton e me regjisor Ben Apolloni, shkruan KultPlus.

“Plaçkitësit” është një komedi e zezë me plot kuptimin e fjalës, sepse ndodhë në një ditë funerali, në një ditë kur familjarët e të vdekurës do të duhej të ishin duke mbajtur zi, por ata në atë ditë i bëjnë tana të zezat, duke mos pasur pikë respekti për të vdekurën.
Kjo komedi e mbushur përplotë situata e batuta komike, në fakt është shumë e hidhur dhe fshikulluese për njeriun e kohës tonë i cili ka humbur të gjitha vlerat njerëzore. Vlera për të cilat gjithmonë është folur, por duket se kurrë nuk kanë ekzistuar.

Personazhet e kësaj shfaqje do të vijnë në skenë nën intepretimin e aktorëve rezidentë të Teatrit të Kumanovës: Sefedin Shabani, Shkëlqim Islami, Ismail Kasumi, Qazmedin Nuredini, Mirsad Abazi, dhe aktores mysafire nga Shkupi, Rabije Alilovska ndërsa asistent regjie është Ibër Deari. Kjo vepër e Joe Orton është konsideruar shumë provokuese dhe ka shaktuar shumë debatë në kohën kur është shfaqë për herë të parë (1965). Dhe edhe në trajtimin regjisorial kjo shfaqje do të jetë provokuese, por jo vetëm më përmbajtjen por edhe si realizim skenik./KultPlus.com

Të ngjajshme