30 Maj, 2025 - 3:15 pm
Këtë fundjavë Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit do të sjellë “Portret koncert”.
Mbrëmja e së shtunës premton më shumë se një mbrëmje muzikore, por një reflektim të dy portreteve artistike që ngjiten në skenë këtë 31 maj në TKOB.
Nga njëra anë, Dejon Bendaj, violinist që nga fëmijëria, i rritur me skenën dhe çmimet ndërkombëtare, vjen me një teknikë që digjet nga pasioni. Dhe nga ana tjetër, Zamir Kabo, pianist i formuar në akademitë më prestigjioze të Evropës, vjen me një interpretim që flet plot ndjeshmëri dhe forcë.
Dy artistët bashkohen për të sjellë në jetë veprat e Mozart, Prokofiev dhe Bartok, duke krijuar një mbrëmje që jo vetëm dëgjohet por edhe ndjehet. Dejon Bendaj dhe Zamir Kabo do të rikthejnë muzikën e dhomës në qendër të emocioneve.
Kjo mbrëmje muzikore do të pasohet nga një tjetër aktivitet në TKOB, ku kësaj here pianisti Kabo do të shoqërojë soprano Ana Naqe në koncertin “Përtej kufijve”.
“Përtej kufijve” është një udhëtim që nis me hijeshinë e romancës gjermane dhe përfundon në kulmet dramatike të operës italiane. Nga ndjeshmëria e Strauss dhe Korngold, tek forca shprehëse e Verdit, Bellinit e Cilea-s./ KultPlus.com