“Prishtina International Theater Festival” pritet të ‘ndezë’ javën e parë të nëntorit me shfaqje te ndryshme artistike

4 Nëntor, 2019 - 1:19 pm

Qendrim Badalli

Në sallën “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB janë dhënë të gjitha detajet e fillimit të “Prishtina International Theater Festival” – PITF, i vetmi në Kosovë me karakter ndërkombëtar. Sivjet do të mbahet edicioni i tretë i këtij festivali teksa pritet të jepen shfaqje të ndryshme artistike, shkruan KultPlus.

 “Shumë Zhurmë për Asgjë”, Truth or Dare”, “The Actor Human”, “Bretkosa”, “Moskow Selim” si dhe “Volis Li Me”, do të jenë shfaqjet që do të jepen përgjatë një jave në sallat artistike të Kolegjit AAB.

Ilir Tafa, drejtori i përgjithshëm i festivalit, ka treguar se cilat vende të rajonit do të jenë pjesëmarrëse në këtë Festival.

“Ky festival nuk do të dallojë shumë nga festivalet tjera për arsye se do të kemi shfaqje nga rajoni: Kroacia, Greqia, Maqedonia, Bullgari”.

Ai tutje ka thënë se ky festival ka karakter garuese dhe se do të ndahen disa çmime.

“Pasi që ky festival do të jetë garuese, ne do t’i përzgjedhim shfaqjen më të mirë, regjinë më të mirë, si dhe aktorja dhe aktori më i mirë përmes një jurie profesionale”.

Në fund, Tafa ka falënderuar edhe Ministrinë e Kulturës si njëri nga sponzorizuesit e këtij festivali.

“Më duhet ta falënderoj edhe Ministrinë e Kulturës, e cila na ka ndihmuar në organizimin e këtij Festivali”.

Drejtoresha artistike e këtij festivali – Burbuqe Berisha, fillimisht ka vlerësuar pjesëmarrjen e madhe mediale.

“Faleminderit që keni ardh në këtë numër kaq të madh sepse e dimë se sa është e rëndësishme që mediat të përkrahin dhe përcjellin një ngjarje kaq të rëndësishme siç është Festivali i Teatrit, i cili është i vetmi në Kosovë me karakter ndërkombëtar”.

Tutje, Berisha, ka vlerësuar infrastrukturën e Kolegjit AAB për karakterin e këtij festivali teatral.

“Do të fillojmë me shfaqjen tonë dhe si nikoqir kemi vendosur që të fillojmë me shfaqjen që është prodhuar në Teatrin Kamertal, diçka që është e rëndësishme të ceket është se në Universitetin AAB me plotë besim e them se është infrastruktura më e mirë sa i takon Teatrit”.

Festivali i Teatrit që do të mbahet në Kolegjin AAB fillon sonte në orën 19:00 me një hapje solemne dhe do të zgjas deri më datë 9 nëntor. Për vlerësimin e shfaqjeve do të ketë një juri gjithëpërfshirëse, njëra do të jetë profesionale, tjetra studentore dhe një mediale. / KultPlus.com

Të ngjajshme