Protestojnë aktorët, Maxhuni: Nëse nuk na plotësoni kërkesat, atëherë mos u krenohuni me neve

30 Shtator, 2020 - 1:55 pm

Fishkëllima e filikaqave të tyre dëgjohej shumë larg, teksa në duar mbanin pankarta që shkruhej “#përteatrindodona”. Mos realizimi i kërkesave për shtimin e numrit të aktorëve në Teatrin Dodona, i bëri grupin e aktorëve të Prishtinës të protestojnë përpara Komunës së Prishtinës, shkruan KultPlus.

Aktorët e Prishtinës u bashkuan për të shprehur indinjatën e tyre ndaj Komunës për mos realizimin e kërkesave të tyre që 2 vite për krijimin e një trupe rezidente në Teatrin Dodona, në të cilën kryejnë punën e tyre vetëm 4 aktorë.

Ky numër i ulët i aktorëve është edhe kundër ligjit për Teatro në të cilin thuhet: “Teatrot profesioniste të qyteteve duhet të kenë ansambël artistik, rezident, të përbërë nga së paku njëzetë(20) aktorë cilësorë të të gjitha gjeneratave”.

Molika Maxhuni, njëra ndër aktoret pjesëmarrëse, në protestë është shprehur se mirësjellja e tyre i ka bërë që ata sot të jenë në këtë gjendje.

“Ne jemi gjithmonë bira e fundit e kavallit. Kjo nuk është mirë për secilin këtu që jemi. Kur po vie puna të krenohet një shtet, përfaqësuesit më të mëdhenj ose ambasadorët po janë artistët dhe sportistët. Atëherë le të themi mos u krenohuni me neve!”, u shpreh Maxhuni.

Në anën tjetër, Leonit Maloku tha se aktorët kanë hasur në vesh të shurdhër që 2 vite te Kryetari i Komunës dhe te Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.

“Po shpresoj që Komuna do të reflektoj dhe tash para se ta votojnë buxhetin do të propozojnë që të bëhet audicioni për shtimin e numrit të aktorëve në ‘Dodonë’ dhe të punësohen aktorët e Prishtinës”.

 Ilir Prapashtica, një aktor tjetër i qytetit të Prishtinës, duke thënë se kësaj here nuk do të flasin shumë.

“Sipas informatave të cilat i kemi Komuna e Prishtinës do ta hap një konkurs prej 5 aktorëve, që ajo është e papranueshme për ne si grup i aktorëve të Prishtinës për arsye se 5 aktorë në teatrin e qytetit është për të bërë hajgare”. Veç të tjerash, përgjatë protestës u përmend edhe një deklaratë nga Ministria e Financave se Teatri Dodona i ka 17 të punësuar. Aktorët u shprehën se është për keqardhje funksionimi i tillë i teatrit përderisa 13 prej tyre janë staf teknik dhe vetëm 4 aktorë. Grupi i aktorëve të Prishtinës vazhduan protestën e tyre me duartrokitje dhe brohoritje “bravo” në shenjë revolte ndaj Komunës. Për fund ata në shkallët hyrëse të objektit lanë pankartat e tyre me mbishkrimet “#përteatrindodona”. / Medina Pasoma/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme