“Pse me ecë nëpër lule, kur mundesh me u grrithë nëpër therra”

27 Dhjetor, 2018 - 9:20 pm

Alberina Haxhijaj

Sonte në Prishtinë, në një bisedë mes miqsh në Sonder, organizuar nga ETEA, Melihate (Meli) Qena diskutoi për dashurinë që ka ndaj librit, teatrit e sidomos ndaj kukullave. Ajo po ashtu tregoi edhe për gjendjen e Teatrit Dodona sot, duke kujtuar me nostalgji vitet që kanë kaluar. Mirëpo përveç dashurisë dhe kujtimeve të bukura që shpalosi ajo kritikoi edhe situatën e tanishme të teatrove e veçanërisht Teatrit Dodona, teatrit për të cilin ajo ka dhënë aq shumë nga jeta dhe energjia e saj.

Melihate Qena bisedën e saj e filloi duke e kujtuar Bekim Lumin dhe dëshirën e tij për të punuar me kukulla. Sipas aktores teatri i kukullave të mundëson të jesh më shumë sesa aktor pasi sipas saj, ai apo ajo që arrin ti japë jetë një copë pëlhureje, bën diçka magjike.

“Arti është shpirt, është frymëzim. Unë atë kam arritur që ta shpreh më së miri me kukulla. Me keqardhje po them se arti është jashtëzakonisht i vështirë dhe është e drejtë kur krahasohet me punën e minatorit. Mirëpo pas gjithë punës minatori pastron fytyrën dhe pushon ndërsa artisti, aktori, regjisori, skulptori, nuk arrijnë që të bëjnë gjumin e rehatshëm. Të gjitha idetë, personazhet, e çdo gjë tjetër përpëlitet vazhdimisht në kokën dhe kjo ndoshta edhe e bën të vështirë jetën me një artist nëse nuk e kuptojnë atë”, theksoi ajo.

Kujtojmë se Melihate Qena ka përfunduar studimet në Beograd pasi fitoi bursën nga Teatri i Kosovës. Në klasën e saj që kishte 6 studentë ajo ishte studentja e vetme. Në kohën kur rikthehet në Prishtinë teatri udhëhiqej nga Azem Shkreli. Në pamundësi që të gjente vend në teatër ajo shkon në Mitrovicë, e zhgënjyer që nuk kishte arritur të hynte brenda teatrit. Mirëpo, meqenëse ajo kishte studiuar edhe rusishten arriti që të gjente vend si një mësuese e gjuhës ruse në Mitrovicë. Në këtë qytet ajo ka pasur gjithmonë dëshirë që të formonte një teatër dhe të punonte mirëpo çdo herë duke pasur në mendje aktrimin dhe jo mësimdhënien, një eksperiencë shumë e veçantë e saj e për të cilën ajo nuk ishte përgatitur.

Rusishtja i ndihmoi që të njihej edhe me letërsinë ruse duke bërë që në bibliotekën e saj të zinin vend të rëndësishëm shumë libra të kësaj letërsie. Fyodor Dostoyevsky, Alexander Pushkin, Mikhail Lermontov, Ivan Turgenev janë vetëm disa emra të shkrimtarëve, librat e të cilëve Qena i ka lexuar në lidhjen e saj me rusishten.

Duke u rikthyer te librat ajo u shpreh se kohën e saj më të madhe e ka kaluar në mes të librave. Aty ajo ka gjetur personazhet e saj, një botë të saj ku mendon se secili njeri është i përcaktuar për diçka në jetë.

“Kam ardhur në këtë jetë dhe e kam punuar një punë që e kam dashur. Këtë e kam bërë për ta pasur më të lehtë jetën dhe jo për të lënë gjurmë apo një emër. Problemi im kryesor ka qenë se si unë të ndjehem më mirë edhe pse për mua jeta asnjëherë nuk ka qenë e lehtë dhe nuk e kam pasur lehtë me jetu. Nuk kam qenë e kënaqur, gjithmonë kam dashur më shumë. Në një formë pse me ec nëpër lule, kur mundesh me u grrithë nëpër therra, me u përgjak edhe me vazhdua”, u shpreh ajo.

Tutje për punën e saj si regjisore dhe për lidhshmërinë e regjisë me librin ajo u shpreh se librat arrijnë që të ringjallen në skenë.

“Nëse e lexon librin e lexon vetëm për veten e kur e dramatizon një tekst e bën këtë për një audiencë me të madhe. Unë e kam bërë për një audiencë shumë të ndjeshme e që janë fëmijët. Një audiencë e cila të tregon të vërtetën”, theksoi ajo.

E duke biseduar për fëmijët ajo u shpreh se edhe në Shqipëri por edhe në Kosovë iu referohen fëmijëve si ‘ardhmëria e vendit’ mirëpo bëhet shumë pak pikërisht për ta. Duke kujtuar fillimet e Teatrit Dodona ajo u shpreh se pikërisht ky vend ka shërbyer për edukimin e fëmijëve dhe largimin e tyre nga veset e këqija, e sidomos vjedhja, që në atë kohë e kishte karakterizuar lagjen ku ishte vendosur teatri. Këtu ajo vlerësoi lartë edhe punën që kishte bërë Faruk Begolli.

“Fatkeqësisht kam punuar në një teatër ku nuk kam pasur as dramaturg, as njerëz përreth që me më ndihmu. Është dashur të gjitha me i bo vet. Nuk e di sa i kam bërë mirë e sa keq mirëpo meqenëse e kam pasur sallën plot ndoshta e kam bërë mirë. Mirëpo sot teatri dita e ditës po rrënohet, nuk kemi aktorë, janë vetëm tre. Sot punohet me projekte e që shpesh herë janë rrena dhe dallavere. ‘Ti mua më jep një projekt unë ty një’. Shfaqjet bëhet me rrena dhe dallavere. Realizohet një shfaqje e më kurrë nuk shfaqet. Na u ka mbushur Dodona me skenografi, nuk kemi kah me lëvizë, e shfaqje nuk ka kurrkund. Shfaqja është skenografi, muzikë e të gjitha, mirëpo në esencë duhet më i thënë diçka publikut e ajo nuk po ndodhë”, u shpreh Meli Qena.

Sipas saj për krijimin e kësaj gjendje ka ndikuar fakti se sot nëpër vende kyçe janë njerëzit e patalentuar. Këtu ajo theksoi fjalët e Konstantin Stanislavski. “I patalentuari është shumë i talentuar për të ngulfatur të talentuarin”.

E rritur në mesin e librave, Qena shpesh herë e ka gjetur hapësirën e saj pikërisht tek librat. Ajo akoma ka një bibliotekë të pasur me libra të cilët fatkeqësisht për shkak të mungesës së hapësirës i ka vendosur në një depo për të cilën paguan qiranë dhe shpeshherë i këmben edhe me studentët. E në mesin e gjithë atyre librave dhe shkrimtarëve të ndryshëm ajo çdo herë rikthehet te Ndre Mjeda, Naim Frashëri apo Migjeni.

Madje tregimi i saj i preferuar është “Puthja e Cubit” një tregim i Migjenit të cilin e ka ëndërr që ta realizojë dhe ta kthejë në shfaqje për kukulla. / KultPlus.com

Të ngjajshme