“Pushimi i kalorësve” solli mbrëmë në skenë luftë, dashuri e intriga

6 Mars, 2020 - 10:54 am

 

Xhemile Hysenaj

Baletit Kombëtar i Kosovës mbrëmë dha shfaqjen e parë për këtë vit të titulluar ‘Pushimi i kalorësve’, nën koreografinë e balerinës dhe koreografes së mirënjohur Natalia Osipova, shkruan KultPlus.

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, balerinët zunë skenën për të shpalosur një ngjarje që në vete përmbante ndodhi të shumta.

Ngjarja zinte vend në një fshat të vogël austriak, ku dy shoqe ishin të dashuruara me një kalorës të pashëm, i cili herë pëlqen njërën dhe herë tjetrën. Dy shoqe të cilat luftuan pothuajse gjatë gjithë kohës me njëra tjetrën për të fituar dashurinë e kalorësit.

Kalorësi arrestohet dhe në ndërkohë të gjithë kalorësit tjerë kërkojnë dashurinë e njërës nga dy shoqet që dashuronin atë, nuk shkon gjatë dhe ai martohet më në fund me atë tek e cila qysh në fillim vërehej se e dashuronte pak më shumë.

‘Pushimi i kalorësve’ si një balet klasik i zhanrit të komedisë, i cili gjatë gjithë kohës mbante publikun në emocion me ngjarjet e njëpasnjëshme që ndodhnin sa hap e mbyllë sytë, shpalosi para publikut luftë e dashuri, intriga e lajka, e që në fund të gjitha përfundonin me të qeshura e zbavitje.

Koreografja e shfaqjes Natalia Osipova, tregoi për KultPlus se edhe pse nuk është hera e parë që punon me trupën e Baletit Kombëtar të Kosovës, për të ka qenë një eksperiencë mjaft e mirë të punojë edhe këtë herë me ta.

‘’Duartrokitjet janë nota më e mirë që unë mund të marr në karrierë dhe poashtu jam shumë e kënaqur me trupën e Baletit Kombëtar pasiqë për një kohë shumë të shkurtë ata kanë bërë një punë shumë të madhe”, potencoi Osipova për KultPlus.

Behie Murtezi, njëra nga balerinat, për KultPlus tregonte se përjetoi emocione të mëdha gjatë shfaqjes dhe pas saj, dhe poashtu u shpreh tejet e kënaqur që edhe njëherë pati rastin të punojë me koreografen e mirënjohur Osipova.

“Kjo është shfaqja ime e parë pas një viti e gjysmë pauzë dhe të marrësh aq shumë duartrokitje nga publiku ka qenë një ndjenjë e jashtëzakonshme”, tha Murtezi për KultPlus.

Ndërsa Vjollca Llugiqi e konsideronte punën e koreografes si një punë madhështore, ndërsa tregoi për KultPlus se përjetoi emocione të mëdha në këtë shfaqje që ishte edhe premiera e parë e këtij viti.

‘Pushimi i kalorësve’ la mbresa të mëdha tek publiku, i cili me minuta të tërë vazhduan me duartrokitje e brohoritje pas përfundimit të shfaqjes.

Repriza e ‘Pushimi i kalorësve’ pritet të shfaqet sonte në Teatrin Kombëtar, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com

Të ngjajshme