Qendra e Kulturës në Vushtrri gati për artdashësit, Cecelia: Punimet përfundojnë gjatë këtij viti

27 Gusht, 2020 - 12:06 pm

Qendra e Kulturës “Hasan Prishtina” në Komunën e Vushtrrisë ishte një objekt që po shkonte drejt rrënimit duke u kthyer kështu në shqetësim për qytetarët. Por, ky shqetësim mori fund kur Komuna në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit morën vendim për renovimin e këtij objekti me vlera të trashëgimisë kulturore, shkruan KultPlus.

Për ruajtjen e këtij objekti të një rëndësie të veçantë për qytetin, Komuna nisi punimet në vitin 2017, duke premtuar kështu që gjithçka do të jetë gati në vitin 2019. Mirëpo sipas kryetarit të Komunës, Xhafer Tahiri punimet patën stagnuar shkaku i buxhetit të larguar nga qeveria e kaluar.

“Disa vite me radhë në MKRS ju hoq buxheti këtij projekti, por Ministrja Dumoshi u zotua për kompletim të objektit”, kishte shkruar Tahiri në profilin e tij në Facebook.

Objekti i cili do të jetë me një pamje të re dhe me zgjerim të funksioneve të saja, është drejt përfundimit dhe pritet të hapet brenda vitit 2020.

Sipas drejtoreshës për Kulturë, Rini dhe Sport nga kjo komunë, Fatmire Cecelia, punimet parashihen të përfundojnë gjatë këtij viti.

“Punët janë duke shkuar shumë mirë, sipas planit dhe dinamikës së paraparë. Mund të themi se është një objekt i tillë aq mirë i ndërtuar, saqë̈ për një kohë qytetarët e Komunës së Vushtrrisë̈ do të mund të zhvillojnë̈ aktivitetet kulturo – artistike aty”, thotë Cecelia për punimet brenda Qendrës.

Për renovimin dhe zgjerimin e hapësirës së Qendrës janë shfrytëzuar 1,200,000.00€, teksa drejtoresha Cecelia vlerëson se objekti i ri ia ka shtuar vlerën qytetit.

“Ky objekt i ri i ndërtuar ia ka shtuar shumë vlerën kulturore e arkitektonike qytetit të lindjes së Hasan Prishtinës, nga e ka marrë edhe emrin vet Qendra e Kulturës në Vushtrri”, thekson Cecelia.

Kjo Qendër Kulture sipas drejtoreshës do të përmbajë të gjitha hapësirat që i duhen kulturës. Sipas saj, aty do të vendoset Biblioteka e qytetit, Arkivi i qytetit, Teatri, Galeria e arteve dhe sallat tjera të nevojshme. Poashtu, në këtë objekt do të zhvillojnë aktivitetet e tyre muzikore edhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Hasan Prishtina”.

Ndërkaq për Teatrin e qytetit i cili ndodhej në kuadër të Qendrës së Kulturës, KultPlus mëson se është bërë renovimi i tërësishëm i teatrit.

“Është bërë izolimi i kulmit, pastaj fasadimi i mureve si dhe renovimi i tërësishëm i pjesës së brendshme. Është ndërtuar edhe një hapësirë e re në pjesën veriore të Teatrit, që mund të them se është një parahyrje. Poashtu janë vendosur edhe shkallët dhe hyrja e veçantë̈ për në teatër apo sallën e teatrit”, thotë Cecelia.

Në hyrje të Qendrës do të vazhdojë të qëndroj mbishkrimi VIZ, që sipas historianëve Jahja Drançolli dhe Izet Miftari, nënkupton emërtimin e vjetër të këtij qyteti.

“Po, mbishkrimi VIZ do të qëndroj përherë aty, ngase qyteti i Vushtrrisë është qytet antik dhe ka qytetërim e kulturë të hershme apo antike, që quhej Viciana apo Vicianum”, shton për fund drejtoresha Cecelia për KultPlus.

Qytetarët e Vushtrrisë, shumë shpejt do të kenë mundësinë t’i shijojnë ngjarjet kulturore në një ambient krejtësisht të ri dhe shumë të përshtatshëm. /Medina Pasoma / KultPlus.com

Të ngjajshme