Rikonstruksioni i Teatrit “Aleksandër Moisiu”, një hap drejt rigjallërimit kulturor të Durrësit

21 Korrik, 2025 - 2:40 pm

Një ekip nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, i kryesuar nga zëvendësministrja Lira Pipa, zhvilloi një inspektim në kantierin e rikonstruksionit të Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Ky teatër qëndron si një nga institucionet më të rëndësishme të jetës artistike në qytetin bregdetar.

Gjatë vizitës ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Bashkisë së Durrësit, të cilët ndoqën nga afër ecurinë e punimeve që po realizohen në këtë projekt strategjik të bashkëfinancuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Ministri Blendi Gonxhja, në një reagim në rrjetet sociale, theksoi rëndësinë e këtij investimi, duke e cilësuar atë pjesë të një vizioni më të gjerë për zhvillimin e infrastrukturës kulturore në vend. Sipas tij, kultura mund të shërbejë si një motor i fuqishëm për zhvillimin e komuniteteve dhe për rigjallërimin urban të qyteteve, përcjellë KultPlus.

Projekti i rikonstruksionit të Teatrit të Durrësit synon përmirësimin e plotë të kushteve teknike dhe funksionale të godinës, përfshirë modernizimin e skenës dhe hapësirave të brendshme. Por përtej aspektit teknik, theksi vihet në ringritjen e teatrit si një qendër aktive për krijimtarinë artistike, dialogun kulturor dhe edukimin e brezave të rinj në frymën e artit dhe të shprehjes së lirë.

“Ky projekt ambicioz përpiqet të komunikojë imazhin e një qyteti në lëvizje, aktiv dhe inovativ, i cili respekton trashëgiminë e tij kulturore duke ndërtuar mbi të një të ardhme të qëndrueshme dhe cilësore,” u shpreh ministri Gonxhja, duke nënvizuar rolin që Teatri “Aleksandër Moisiu” pritet të ketë në jetën kulturore të Durrësit në të ardhmen./KultPlus.com

Të ngjajshme