Rikonstruktohet Amfiteatri te kodrat e Parkut të Liqenit në Tiranë

27 Tetor, 2017 - 2:20 pm

Qytetarët që vizitojnë Parkun e Liqenit do të kenë një tjetër alternativë për të kaluar orët e tyre të lira dhe për t’u argëtuar.

Bashkia e Tiranës po vijon punën për rikonstruksionin e plotë të arenës së dashur të Teatrit të Hapur dhe gjithë infrastrukturës plotësuese rreth tij, transmeton KJ.

Amfiteatri është i pajisur edhe me skenën, podiumin, dhomat e zhveshjes së artistëve, gjithashtu edhe me sallën teknike nga ku projektohet në skenë. I lënë në harresë prej shumë vitesh, Amfiteatri te kodrat e Parkut të Liqenit po merr vëmendjen e bashkisë dhe Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, për ta shndërruar atë në Teatrin e Hapur të Tiranës.

Bashkia e Tiranës ka testuar këto dy vite interesin e publikut me aktivitete ku ka pasur një pjesëmarrje të lartë. Rikonstruksioni i Amfiteatrit është kërkuar vazhdimisht edhe nga një sërë artistësh të njohur shqiptarë për të pasur mundësi organizimin e disa shfaqjeve në formën e teatrit të hapur.

Me rikonstruksionin e kësaj hapësire, pritet që jeta kulturore në kryeqytet, e veçanërisht në zonën e Liqenit, të gjallërohet edhe më shumë duke afruar qytetarët me natyrën dhe me artin. / KultPlus.com

Të ngjajshme