Rina Kaçinari Trio dhe Kori i Grave ‘Okarina’ me një koncert fantastik përmbyllën festivalin ‘FemArt’

22 Maj, 2023 - 10:25 pm

Vjollca Duraku
Foto: Esad Duraki

Me një koncert fantastik, nga Rina Kaçinari Trio dhe Kori i Grave ‘Okarina’, mbrëmë u shënua përmbyllja e edicionit të 11-të të Festivalit FemArt 2023, shkruan KultPlus.

Rina Kaçinari Trio mbrëmë publikut i dhuroi një program me kompozime origjinale nga jeta e tre artistëve, ku si emocione bazë ndër lloje emocionesh kishin trishtimin, dashurinë dhe lumturinë.

Violonçelistët Rina Kaçinari dhe Jörg Mikula gjatë mbrëmjes dhuruan tinguj mjaft të këndshëm për veshin e dëgjuesit, të cilët kombinoheshin perfekt edhe me zërin e veçantë të Rinës. Ndërsa bateristi, Carles Muñoz Camarero, ishte ai i cili mbrëmjes i jepte dinamizëm. Interpretimi i të cilit si artist arriti kulminacionin kur nga një instrument goditës, nxirrte tinguj duke gërvishur me thonjë lëkurën e instrumentit.

Një kompozim të cilin Rina Kaçinari e kishte krijuar si kujtim nga momenti i ndarjes nga nëna e saj, kur iu desh të largohej për studime jashtë vendit, ishte një pikë performuese të cilën e shijoi shumë publiku, për shkak të ndjeshmërisë së një ndarjeje të tillë, siç është ajo e nënës së fëmijës.

Gjatë interpretimit, kur këmbët e Rinës të cilat përplaseshin për tokë, para syve të publikut paraqisnin pamjet e një fëmije 15 vjeçar i cili refuzonte të largohej nga e ëma, porse ishte e detyruar të shkonte për studime jashtë vendit të lindjes.

Një pikë tjetër e cila u pëlqye pa masë qe një kompozim të cilin Rina e kishte sjell për të shprehur dashurinë për vajzën së saj. Këtë interpretim Rina Kaçinari Trio e solli në bashkëpunim me Korin e Grave ‘Okarina’, kombinim i mrekullueshëm që edhe i dha kulminacionin  mbrëmjes.

Pas disa falënderimeve të cilat i bëri Rina për të pranishmit, FemArt dhe mbështetësit e këtij festivali, pasoi edhe pika e fundit interpretuese në të cilën këndohej slogani i këtij edicioni të FemArt. “Kalle Tutën” me një interpretim brilant e shënoi zyrtarisht mbylljen Edicionit të 11-të Festivalit ‘FemArt’ 2023

Pas përfundimit të koncertit, në një prononcim për KultPlus, Violonçelistja Rina Kaçinari, tha se ndihej shumë e lumtur që mori pjesë në këtë Edicion të FemArt, dhe e cilësoi si arritje shumë të madhe udhëheqjen e koncertit e cila ishte bashkëpunim me dy kolegët e saj meshkuj.

“Jam për herë të dytë në FemArt dhe jam shumë e lumtur. Kam qenë para shtatë vitesh përafërsisht. Kjo është hera e dytë, dhe jam shumë shumë e lumtur, se është gjithmonë një ndjenjë e posaçme kur merr pjesë si grua në këtë festival, por këtë vit erdha me dy kolegë. Dhe si grua kjo është një arritje shumë e madhe që me i udhëheq kolegët edhe me ta me dalë në skenë bashkë.”, ka thënë Kaçinari, gjithnjë duke pas parasysh kauzën feministe të festivalit “FemArt”.

Organizatorja e Festivalit, Zana Hoxha në një prononcim për KultPlus ka thënë se ndihet shumë e lumtur pasi ka qenë përmbyllja më e mirë që ka mundur të imagjinojë.

“Kemi kaluar jashtëzakonisht mirë dhe jam tejet mirënjohëse që e kanë bërë këtë punë të madhe dhe me gatishmëri, vullnet. Po besoj që ka qenë një javë e mbushur me festë, me reflektim dhe rebelizëm. Sonte ka qenë përmbyllja më e mirë që kisha mundur ta imagjinoja, kështu që jam shumë e lumtur. E kam shijuar dhe jam shumë krenare me punën që tërë artistet, artistët dhe aktivistët e kanë bërë”, ka thënë Hoxha.

Organizatorja më tutje ka thënë se realizimi i këtij festivali gjatë shtatë ditëve, ka qenë një lloj diplomacie kulturore në botë, pasi për Kosovën, përmes ‘FemArt’ kanë pasur rastin të dëgjojnë ato vende të cilat më parë nuk kanë dëgjuar në media.

“Me të vërtetë këto shtatë ditë e kemi shndërruar një skenë serioze të kulturës në një skenë feministe e cila inspiron dhe bën thirrje për ndryshime pozitive. Ka qenë një diplomaci kulturore, gjë që për shembull, ne gjithmonë e kemi bërë por nuk ka pasur emër, mirëpo shumica e artistëve na kanë thënë që është një pasqyrë pozitive për Kosovën, të cilën kurrë nuk e lexojnë në media, kurë nuk e dëgjojnë në vendet e tyre. Ka qenë një diplomaci kulturore dhe jam shumë e lumtur që ka përfunduar në një mënyrë të tillë”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa nikoqirja e ‘FemArt’-it në Komunën e Mitrovicës, Valdete Idrizi, për mbrëmjet e këtij festivali që janë shtrirë edhe në Mitrovicë, ka thënë se ishin netë magjike

“Ka qenë një natë me të vërtetë magjike. Ashtu siç e ka merituar edhe publiku edhe vetë FemArt, krejt ky angazhim u kurorëzua edhe me mbrëmjen nga Rina-Trio dhe Kori i Grave Okarina. Kështu që u kënaqa. Jam mbushur me energji dhe shumë dashuri, edhe shumë fuqi besa. E kemi kallë tutën’’, ka thënë Idrizi.

Idrizi falënderoi organizatoren dhe të gjithë artistët për kontributin e dhënë për realizimin e këtij festivali, pasi këtë vit FemArt pati një shtrirje të pjesërishme edhe në Komunën e Mitrovicës.

“Fillimisht jam jashtëzakonisht mirënjohëse ndaj Zanës, ‘FemArt’-it, Art Polisit dhe gjithë ekipit fantastik që ata e kanë. Gjithashtu i falënderoj që e kanë futë edhe Mitrovicën këtë edicion. Që nga edicioni i parë, nuk ka kaluar asnjë edicion që nuk kam qenë e përfshirë. Kështu që jam një fanse dhe një mike e FemArtit, e këtë herë jam shumë e lumtur që ka qenë një program shumë i begatë me një audiencë shumë të madhe edhe në Mitrovicë’’, ka përfunduar Idrizi.

Edicioni i 11-të i Festivalit Ndërkombëtar të Artisteve dhe Aktivisteve – ‘FemArt’, nën moton “Kalle Tutën’’, është mbajtur nga 15-21 maj, 2023 në Prishtinë dhe Mitrovicë./ KultPlus.com

Të ngjajshme