Rrënjët e identitetit të pasqyruara me artin e letërsisë, muzikës dhe teatrit

14 Korrik, 2025 - 5:30 pm


Promovim i librit ” Memorie lufte” 
Koncert recital i Gjejlan Tacit “Zëri i rrënjëve”
Shfaqja “Streha e nemun” e Ilir Bokshit
Grupi “Jericho” Etno neja

Agron Gërguri


Lufta është sëmundje dhe se pasojat e kësaj  sëmundjeje mund të shërohen edhe përmes  artit të poezisë tha midis tjerash Halil Matoshi për librin hulumtues “Memorie lufte” e autores Blerina Gaxha – Rugova e cilësuar si stidiuese e ftoht pa patos emocional duke përfillur maksimen se “memoria letrare i plakë shekujt si një proces i riprodhimit të  kujtesës për mos me e lënë të vërteten me vdekë. Në librin e studimit të dhembjes  ku kurohet trauma e luftës Blerina ka trajtuar mbi 40 autorë kosovar kryesisht poet. Në këtë kontekst të trajtimit të pasojave të luftës 
Fadil Hysaj shtroj  se mos jemi vonuar me trajtimin e rrënjëve identitare qofshin edhe të dhimshme rrjedhimisht kësaj mos jemi vonuar në riparimin e asaj që është identitet i ynë. Sigurisht se trajtimit objektiv historik të luftës i duhet një distancë kohore porse kjo distancë do duhej të shkurtohet kur flasim për kurimin e traumave të luftës të cilat nganjëherë eklipsohen nga narrativa e heroizmit ndërsa zëri i viktimave nuk dëgjohet. Autorja në libër ka trajtuar disa autorë që  përmbajtshëm tematizojnl traumat e luftës. Letërsia në këtë rast përveçse një akt i rezistencës bëhet edhe proces i kurimit të pasojave të luftës. 
Skender Boshtrakaj akcentoi  çështjen e ndjeshme të grave të dhunuara në luftë dhe procesin e vështirë të gjetjes dhe rehabilimit të pasojave duke nxjerr një rrëfim prekës të një puntoreje sociale e cila tinëz opinionit kishte mbushur notesin me emra e rrëfime grash të dhunuara që mbaheshin larg opinionit.

Nga debati për dhimbjen dolëm tek pasqyrimi i asaj dhimbje përmes poezisë dhe këngës në koncertin 
“Zëri i rrënjëve” i Gjejlan Tacit e cila rrugëtimi saj identitar si një jehonë e mallit për rrënjët u tha me këngë.  Familja e saj kishte ikur në Turqi pasta nga atje në Belgjikë me baule plotë rrëfime të cilat aq ndjeshëm i  tregoj  përmes këngës Gjejlane Taci.
      Secila këngë sikur nxirrej nga  thellësi të shpirtit, si ndjesi të ndrydhura që dolnin përmes zërit të saj plotë ndjenja që  prodhonin vibrime emocionesh përshpirtëruese te spektatorët.
Nuk mundesh me u largu askund pa u takuar me vehten me botën shpirtnore aty ku rrinë e vërteta shpesh e ndrydhur dhe e frikuar si një ëndërrë që është e jona por dikush tjetër e tregon shumë para nesh. 
   Programi i këngëtares Gjejlane Taci ishte në fonin e debatit për librin e Bletina Gaxha  Rugova me fuqinë që zien brenda e do të shprehet për të treguar rrënjët e dhembjes aty ku dashuria e gjenë vehten dhe bëhet identitet. Këtë bukuri komunikimi e solli në  Etno Fest artistja Gjejlane Taci duke e fuqizuar ndjenjën e përkatësisë deri në lot që e këthjellin kujtesen dhe ne themi po e gjeta kuptimin se çka është identiteti. Transmetimun e fuqishëm të ndjenjave të estetizuara në art e ndihmuan  me instrumentimin e tyre Adorel Haxhijaj, Astrit Stafaj dhe Xhemil Gjini. 

Shfaqja e Ilir Bokshit “Streha e nemun” tragjikomedi bazuar në veprën “Liza në Maj” nga Zsolt Pozgaj

Kryepersonazhi Liza(Albulena Kryeziu Bokshi) në kërkim të kuptimit të jetës: Pjepëri në supë, peshku, pija, rubineti i prishur, tjetërsimi dhe sistem i prishur i vlerave që pret riparim njohje e rinjohje pikësëpari të vetevetes, një grua e cila kërkon një burrë të munguar ideal i cili nuk ekziston andaj asaj të gjithë mëtonjësit  “aksidentalisht” i vdesin  apo ajo i vret në përpjekje për ta vrarë pakënaqësinë me jetën. 
Kur trupi mbetet e vetmja shprehje e dashurisë atëherë ajo është në dhimbjet e saj të vdekjes. Liza është një produkt i jetës me një ritëm të pabërballueshëm që prodhon stres andaj në ato kushte nuk mbinë dashuria.
Dhe ate e lë edhe vetja … Këtë rrëfim skenik Ilir Bokshi kishte zbërthyer  me elemente të humor të zi dhe ironisë së fatit edhe psr secila skenë përfundonte në vrasje sado në dukje aksidentale situatat ishin të besueshme ngase zbërtheheshin domethënëshëm përmes lojës së aktorëve me mizanskenë të organizuar mirë dhe veprime miniaturiale që fuqizonin reagimin e publikut. 
Loja e aktorëve dhe regjisura zbërthyese deri në detaje  miniaturale e karakterizonin rrëfimin skenik plotë ritëm dhe dinamikë për të nxjerr fuqishëm mesazhin se të vërtetën martesore apo martesen ideale e gjenë vetëm në vdekje….Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Albulena Kryeziu Bokshi, Ledion Zoi dhe Adrian Morina.
Pas ilaritetit që provokoj shfaqja spektatorët u mblodhën tek “qilimi fluturues i gjyshes”  në koncertin e grupit “Jericho” që ishin nikoqir të mbrëmjes duke kënaqur  mysafirët me këngë rok me bazë etnike duke krijuar atmosferë festive, hare dhe vallëzim.

Etno fest po përmbushë përmbajtësisht pritshmërit e audiencës me programe të koncipuara të cilat plotësojnë njëra tjetren në rrëfimin për identitetin dhe poashtu japin kontribut të jashtëzakonshëm në krijimin e një sistemi vlerash pa të cilin nuk ka as identitet të konsoliduar/ KultPlus.com

Të ngjajshme