“Sfinga e gjallë”e Blerta Neziraj kërkon drejtësi për të vrarët politik

28 Maj, 2019 - 1:57 pm

Alberina Haxhijaj

Regjisorja Blerta Neziraj, shfaqjet e të cilës publiku është mësuar që ti shoh nëpër skenat e pavarura të teatrove në Prishtinë, mbrëmë, është paraqitur për herë të parë si regjisore edhe në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Neziraj përmes shfaqjes “Sfinga e gjallë” dëshmoi se do të ketë një jetë të gjatë si regjisore në skenën e TKK-së, shkruan KultPlus.

Shfaqja me regji të Blerta Neziraj, jetësoi dramën e shkruar nga shkrimtari Rexhep Qosja. Një tekst goxha i guximshëm i cili është në funksion të idesë dhe jo të personazheve, i shkruar në vitit e 70-ta e që flet për gjakmarrjen e vëllavrasjet absurde të asaj kohe. Po aq i guximshëm është edhe koncepti regjisorial dhe rimodifikimi që i është bërë kësaj drame.

“Sfinga e gjallë” e tanishme zhbiron dramën e tabuizuar të pasluftës në Kosovë dhe vrasjet politike ‘misterioze’ të disa prej intelektualëve, gazetarëve e politikanëve kosovarë. “Vrasjet politike” janë në fokus të kësaj shfaqje e cila sjellë gjendjen absurde të politikës në Kosovë. Sipas Qosjes koncepti regjisorial i regjisores Blerta Neziraj e ka pasuruar dramën e tij.

“Këtë vepër e kam shkruar në vitin 1972-1973. Këtu kjo dramë e imja është pasuruar shumë më shumë, është shumë më e pasur sesa ka qenë atëherë kur e kam shkruar. Jam shumë i kënaqur me regjisoren, shumë e zonja dhe shume krijuese, po ashtu edhe me aktorët”, tha ai.

Rreth 20 vite larg nga ajo periudhë, gati asnjë nga këto vrasje ‘politke’ të bëra pas luftës nuk janë zbardhur. Mirëpo 20 vite pas, përmes teatrit kjo shfaqje ngre zërin në kërkim të drejtësisë dhe u dedikohet këtyre të vrarëve dhe atij pak grushti njerëzish të guximshëm që akoma dhe sot, me dinjitet, vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për vrasjet politike të pasluftës. Sipas regjisores Neziraj, i takon asaj si regjisore që teatrin, vendit të cilit edhe i takon ta kthejë në një platformë ku mund të zhvillohen diskutime të tilla.

“Kur nuk ka stabilitet politik në një vend, mendoj që ne si artistë ish dashtë me bo thirrje për drejtësi dhe me ju dhënë zë viktimave. Siç edhe e patë, kjo shfaqje ju dedikohet këtyre të vrarëve, familjarëve të tyre, ju jepet një zë tjetër. Teatri është i gjallë, ndodhë një herë dhe nuk përsëritët më, pavarësisht pse është shfaqja e njëjtë. Në thelb teatri për mua është politikë. Për shkak të gjendjes tonë, mendoj që si artiste për të bërë protestë nuk duhet të shkojmë në rrugë domosdoshmërisht,  po mundem të kryej punën time këtu në skenë”, theksoi ajo.

Për më shumë se dy muaj i gjithë ekipi i kësaj shfaqje kanë shkëmbyer ide. Sjelljet e tyre kanë bërë që drama e Qosjes të vjen para publikut e “ri-vizituar’ me shkrime e citate goditëse, po të Rexhep Qosjes, por edhe me dokumente e kronika të ndryshme të kohës. Përtej kësaj, e veçanta e kësaj shfaqje është se krijon edhe një rrafsh real. Çdo mbrëmje nga një anëtar i familjes së vrarë do të sjellë në kuadër të shfaqjes rrëfimin e tyre. Në premierën e shfaqjes, rrëfimin sesi e kanë vrarë babën e saj (Xhemajl Mustafën), e solli Beriana Mustafa.

“Imagjinoje veç një gjë, me jetu për 19 vjet, 20 vjet me një pikëpyetje në kry. Kush e boni? Çdo ditë, çdo sekondë të jetës sate, herë më shumë e herë me pak. Pra me një intensitet të ndryshëm në kry me qarkullu pyetja: kush e boni, pse? Me i shiku njerëzit me dyshim për 20 vjet, mos e boni aj e mos e boni ky, e gjyqësia mos me e pas guximin se është e dirigjume prej politikës me e thonë veç një fjalë, me shku me e arrestu dikon për vrasjen e Xhemajlit e për vrasjet e shumë të tjerëve, kjo ndodh veç në Kosovë”, janë fjalët e Beriana Mustafës, pas të cilës fillon përsëri loja e aktorëve me fjalët “Shteti nuk vret vetëm me plumba” nga aktori Adrian Morina.

Xhemajl Mustafa (ka lindur më 23 gusht 1953 – vdiq me 23 nëntor 2000). Ishte gazetar, politikan, publicist, shkrimtar shqiptar dhe këshilltar politik i Presidentit Historik të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova dhe anëtar i LDK-së. U vra mizorisht në Prishtinë në hyrje të apartamentit të tij ku u qëllua për vdekje nga dy sulmues të cilët kurrë nuk u arrestuan. Sipas regjisores, pikërisht kjo pjesë e shfaqjes ka qenë shumë e rëndësishme pasi që ajo ka dashur që të sjellë një moment real.

“Në teatër e ndërtojmë një rrafsh tjetër fiktiv me të cilin shumë shpesh dalim prej sallës edhe vazhdojmë me muhabete të rëndomta pasi që nuk e prekim thelbin e asaj se çka realisht ka ndodh. Për mua ka qenë me të vërtetë e rëndësishme me e pas një moment real për shkak se po flasim për një situatë e cila na përket neve edhe po shpresoj që këto vrasje sa më shpejt kanë me u zgjidhë”, theksoi ajo.

Në anën tjetër regjisori dhe kritiku, Fadil Hysaj theksoi për KultPlus se nëse teatri nuk ka guxim me e fol të vërtetën nuk ka arsye me ekzistu. Sipas tij, kjo shfaqje në shumë aspekte e sfidon një realitet edhe historik edhe politik edhe i kyç artistët në një tematikë për të cilën mjerisht ata s’kanë guxuar deri sot me u shpreh në mënyrë kaq shokuese, me një guxim artistik dhe intelektual.

“Mendoj që në çfarëdo aspekti trajtimi i një temë e cila është e ndrydhur me vit, për të cilët shqiptarët flasin por jo në jetën publike, mendoj që e gjithë ajo energji e akumuluar për këto 20 vite e merr një trajtim artistik, vërtet superior, të jashtëzakonshëm, shokues në kuptimin edhe politik edhe artistik. Mendoj që ky lloj teatri i bënë një nder Kosovës, krijon shpresë që ky vend ka të ardhme pasi që po vjen një brez që guxon me fol, me vepru, me u ballafaqu edhe me të kaluarën çfarëdo qoftë ajo dhe sidomos me të vërtetën. Nuk ka kërkush monopol të vërtetës, sidomos në kuptimin e trajtimit artistik ekziston gjithmonë liria krijuese, kreative që e lejon artistin me shku deri në pakufi, po gjithmonë me një synim, të vihet në pah nëse kurrgjë tjetër e vërteta emocionale. Mendoj që kjo shfaqje, Rexhep Qosjen e kthen në një dimension të ri, i jep një vitalitet të ri, mendoj që është një lloj binomi, Rexhep Qosja dhe Blerta Neziraj”, tha ai.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Fatmir Spahiu, Adrian Morina, Edona Reshitaj, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Shpejtim Kastrati, Dukagjin Podrimaj. Aktori Adrian Morina u shpreh se ka qenë kënaqësi që kanë pasur për bazë të kësaj shfaqje tekstin e shkrimtarit të njohur Rexhep Qosja. Morina beson që përmes kësaj shfaqje ata kanë arritur që të hapin një debat në lidhje me vrasje politike të bëra në Kosovën e pasluftës.

“Nëse kisha dashtë me veçu diçka te ky teatër i angazhuar, të ky teatër politik që e kam shumë për zemër, është që më vjen mirë që ma në fund pas 20 viteve,  në qoftë  se politika nuk ka mbërri me fol, nëse drejtësia nuk ka mbërri më fol, për të gjitha vrasjet që kanë ndodh pas luftës – kemi marrë guximin që përmes teatrit apo duke e shfrytëzuar teatrin si një mjet me komuniku me publikun dhe me i thonë ato që janë”, u shpreh ai.

Repriza e parë e shfaqje “Sfinga e gjallë” do të jetë sonte duke filluar nga ora 21:00 në TKK./ KultPlus.com

Të ngjajshme