Shefqet Gjocaj edhe për një mandat udhëheqë Ansamblin “Shota”

7 Mars, 2018 - 11:51 am

Tërheqja e audiencës në moshë të re e realizimi i së paku dy projekteve kapitale – për të cilat “Shota” s’ka buxhet të mjaftueshëm – e këmbëngulja për ta amendamentuar Ligjin për Ansamblin Kombëtar të Këngëve e Valleve, janë pjesë e vizionit të Shefqet Gjocajt për mandatin e tij të dytë në krye të këtij institucioni.

Gjocaj ka dalë fitues i konkursit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit me 77.9 pikë të fituara, duke mposhtu pesë kandidatë të tjerë që ia kishin mësyrë këtij posti.

Të martën pasdite, në ambiente të institucionit që do ta udhëheqë edhe katër vjet, Gjocaj ka shpalosur planet e tij për “Shotën”, që sivjet i ka vetëm 165 mijë euro buxhet, përgjysmë më pak sesa kërkesa prej 347 mijë eurosh drejtuar MKRS-së në fund të vitit të kaluar, shkruan sot “Koha Ditore”.

“E di që ndarja e buxhetit në vazhdimësi është paushall, mirëpo shpresoj shumë për faktin që ministri i Kulturës, në një takim vitin e kaluar ka premtuar që do t’i mbështesë dy projekte: blerjen e instrumenteve dhe projektin e arkivit”, ka thënë Gjocaj. Për blerje të instrumenteve “Shota” ka kërkuar 42 mijë euro, aq sa ka kërkuar edhe për investime kapitale.

Për subvencionim të projekteve kishte kërkuar 225 mijë euro, derisa 8 mijë për rinovim të sallës së vallëzimit. E krejt këto zor se do të realizohen, duke qenë se ky institucion, siç u bë e ditur në gjysmën e muajit të kaluar, për sivjet do ta ketë buxhetin e njëjtë me atë që kishte për 2017-n./ KultPlus.com

Të ngjajshme