Shfaqja belge me temë shqiptare hap festivalin “Balkan Trafik” në Prishtinë

15 Mars, 2023 - 3:04 pm

Festivali belg “Balkan Trafik” fillon fushatën hapjes së edicionit të tij të 17-të, në Prishtinë, në qendrën kulturore “Termokis”, më 20 -21 mars

E. Gashi

Shfaqja teatrale belge “Fritland”, prodhim i teatrit “De Poche” të Brukselit do të jepet në Prishtinë, në qendrën kulturore “Termokis” më 21 mars. Spektakli vjen në kryeqytetin kosovar përmes festivalit belg “Balkan Trafik”, shkruan albinfo.ch. Ky është edicioni i 17-të i këtij festivali prestigjioz që në Bruksel mbahet në muajin prill dhe bën prezantimin e kulturës muzikore ballkanike.

Përveç aktiviteteve muzikore, kësaj radhe drejtori i këtij festivali, Nicola Wieers, ka zgjedhur artisten Fitore Berisha Alisdottir për realizimin e një freske (murali), dhe shfaqjen “Fritland”, duke njohur suksesin e jashtëzakonshëm të kësaj të fundit, në Belgjikë.

Nën regjinë e regjisorit francez Denis Loujol, shfaqja rrëfen jetën reale të një të riu, emigrant shqiptar në Belgjikë, Zenel Laçi, i cili një pjesë të madhe të jetës së tij e kalon duke shitur patate të skuqura (“pomfrit”) në dyqanin e babait. Kjo jetë për të ishte muze dhe burg njëkohësisht…

Rolin e vetëm në këtë shfaqje, e luan vetë protagonisti, pra, Zenel Laçi, aktor profesionist, i lindur në Belgjikë nga prindër shqiptarë, të emigruar atje, shkruan albinfo.ch.

Përmes shfaqjes “Fritland” dhe me rastin e “Javës së Frankofonisë”, në Prishtinë, në qendrën kulturore “Termokis”, në praninë e shumë gazetarëve të huaj, do të hapet fushata e Festivalit “Balkan Trafik” me një surprizë për spektatorin./ KultPlus.com

Të ngjajshme